Telegrafi

Interi fiton me stil kampioni, feston titullin duke i shënuar pesë gola Sampdorias

Interi ka shënuar fitore të thellë ndaj Sampdorias me rezultat 5-1 në ndeshjen e vlefshme për javën e 35-të në Serie A.

Nerazzurrët u shpallen kampion të Serie A në ndeshjen e kaluar dhe sot luajtën dhe fituan pikërisht në stilin e kampionit ndeshjen ndaj Sampdorias.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me dominim të ekipit të Antonio Contes, duke shënuar tri gola, kundrejt një të mysafirëve.

Roberto Gagliardini shënoi pas vetëm katër minutave për 1-0, ndërsa Alexis Sanchez në minutën e 26-të shënoi për epërsinë 2-0.

Sampdoria arriti të kthehet në lojë në minutën e 35-të me anë të Keita Balde, i cili shënoi për 2-1, por Sanchez (36’) u rikthye përsëri në skenë dhe çoi ekipin e tij në pushim me rezultat 3-1.

Edhe pjesa e dytë foli në të mirë të Interit, që nuk rreshti së sulmuari dhe shënoi edhe dy gola tjerë për të marrë një fitore të lehtë.

Andrea Pinamonti (61’) shënoi për epërsinë 4-1, ndërsa Lautaro Martinez (70’) nga penalltia u përkujdes të shënoj për 5-1 dhe ky doli të ishte rezultat përfundimtar.

Pas kësaj fitore, Interi ka 85 pikë në vendin e parë, ndërsa Sampdoria zë vendin e nëntë me 45 pikë.

Në ndeshjen e radhës, Nerazzurrët e presin Romën në shtëpi, ndërsa Sampi është nikoqir i Spezias. /Telegrafi/