Interi ka marrë një fitore të madhe dhe shumë të vështirë 2-1 në udhëtim te Benevento, në ndeshjen e vlefshme për javën e shtatë të kampionatit italian, Serie A, falë dy golave të Marcelo Brozovicit.
Skuadra e Luciano Spallettit është treguar e fortë për skuadrën e dy lojtarëve të Kombëtares Shqiptare, Berat Gjimshiti dhe Ledian Memushaj, të cilët i mposhti dhe vazhdoi serinë pozitive në kampionat.
Pjesa e parë i takoi në tërësi Nerazzurrëve që arritën të shënojnë dy gola të shpejt, por pranuan një në fund të pjesës së parë.
Goli i parë i ndeshjes erdhi në minutën e 19, kur Marcelo Brozovic shënoi me kokë për 1-0 pas asistimit të Antonio Candrevas, ndërsa vetëm tre minuta më vonë kroati shënoi edhe një supergol nga goditja e dënimit për 2-0.
Megjithatë, vendasit arritën të kthehen në lojë në minutën e 42 me golin e Marco D’Alessandro, i cili shënoi për 2-1 dhe dërgoi skuadrat në pushimin mes dy pjesëve.
Në pjesën e dytë, loja ishte më e barabartë, me Beneventon që kërkonte me çdo kusht golin e barazimit, por Interi arriti ta menaxhoi mirë lojën duke përfunduar ndeshjen me rezultatin e pjesës së parë.
Pas kësaj fitore, Interi renditet në vendin e dytë me 19 pikë, ndërsa Benevento vazhdon të mbetet e fundit me zero pikë.
Nerazzurrët ndeshjen e radhës e luajnë në shtëpi ndaj Milanit në ‘Derby della Madoninna, ndërsa Benevento udhëton te Torino. /Telegrafi/
🚀 GOOOLAZOOOO!!! Marcelo #Brozovic makes it 2-0. #BeneventoInter pic.twitter.com/0FMlQPjikh
— Kush (@footballkush) October 1, 2017