Telegrafi

Interi fiton me rikthim ndaj Veronas së Rrahmanit, bëhet lider në Serie A

Inter (Foto: FC Inter/Twitter)

Interi ka fituar me rikthim 2-1 ndaj Hellas Veronas në ndeshjen e vlefshme për javën e 12-të në Serie A.

Djelmoshat e Antinio Contes kanë arritur edhe fitoren e tretë me radhë në kampionat duke rikthyer edhe pozitën e parë në tabelë.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me dominim të Interit, por ishin vetëm mysafirët që shënuan gol.

Goli i vetëm erdhi në minutën e 19-të dhe ishte Valerio Verre, i cili shënoi nga penalltia për 0-1, ndërsa Marcelo Brozovic (27′) goditi traversën.

Verre ishte i saktë nga penalltia (Foto: Emilio Andreoli/Getty Images/Guliver)

Në pjesën e dytë, Nerazzurrët u treguan përsëri dominues duke krijuar shumë raste, por edhe duke gjetur dy gola që ia dhuruan fitoren.

Goli i barazimit erdhi në minutën e 69-të me anë të Matias Vecinos, i cili shënoi me kokë për 1-1 pas asistimit të Valentino Lazaros, ndërsa Nicolo Barella (83′) shënoi një supergol nga distanca duke vulosur fitoren 2-1.

Momenti i golit nga Vecino (Foto: Emilio Andreoli/Getty Images/Guliver)

Pas kësaj fitore, Interi ngjitet në vendin e parë me 31 pikë apo dy më shumë se Juventusi i dyti me një lojë më pak, ndërsa Verona renditet e nëntë me 15 pikë.

Në ndeshjen e ardhshme, zikaltrit udhëtojnë te Torino, ndërsa Verona e pret në shtëpi Fiorentinën. /Telegrafi/