Site icon Telegrafi

Interi fiton ndeshjen e parë te Ludogorets, afër kualifikimit në fazën tjetër

Interi ka fituar me rezultat 2-0 në udhëtimin e tyre te Ludogorets në ndeshjen e parë të vlefshme për 1/16-tën e Ligës së Evropës.

Nerazzurrët kanë marr një fitore të madhe në ndeshjen e parë të kësaj faze dhe kanë siguruar me një këmbë kalimin në raundin e radhës.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë më të mirë të Interit, por pa arritur të gjejnë rrjetën.

Rasti më i mirë i takoi Cristiano Biraghit (26’), goditja e të cilët u mohua nga portieri Iliev Ivanov.

Në pjesën e dytë, Nerazzurrët arritën t’i shpeshtojnë sulmet dhe të krijojnë më shumë raste për gol.

Rasti i parë i takoi Alexis Sanchez (50), goditja e të cilit u ndal nga shtylla, ndërsa Christian Eriksen (63’) bëri një goditje të bukur, por goli iu mohu nga portieri.

Ylli danez, Eriksen, ishte i papërmbajtshëm në minutën e 71-të duke shënuar golin e parë me fanellën e Interit, pas një goditje të saktë nga rreth 16 metrave për 0-1.

Eriksen ishte afër golit edhe dy minuta më vonë, por nga rreth 30 metra goditi traversën, ndërsa në vazhdimin e ndeshjes pati edhe disa gjysmë-raste nga të dyja skuadrat, por goli erdhi vetëm nga Interi.

Në minutat shtesë ishte Romelu Lukaku, i cili nga pika e bardhë vulosi fitoren dhe rezultatin përfundimtar 2-0.

Ndeshja kthyese në Giuseppe Meazza është një javë më vonë, me datë 27 shkurt. /Telegrafi/

https://www.youtube.com/watch?v=QJpVfkwRRbQ

Exit mobile version