Telegrafi

Interi fiton me lehtësi te Genoa dhe rrëmben pozitën e dytë në Serie A

Inter (Foto: Paolo Rattini/Getty Images/Guliver)

Interi ka fituar me rezultat 3-0 ndeshjen e tyre në udhëtim te Genoa në kuadër të javës së 36-të në Serie A.

Nerazzurrët kanë arritur t’i kthehen fitores pas dy barazimeve radhazi dhe me këto tri pikë është rikthyer në pozitën e dytë në tabelë.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë më të mirë të Interit, por edhe përkundër rasteve të shumta, arritën ta shënojnë vetëm një gol.

Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e 34-të dhe ishte Romelu Lukaku, i cili shënoi me kokë për 0-1 pas asistimit të Cristiano Biraghit.

Edhe pjesa e dytë foli në të mirë të ekipit të Antinio Contes që arritën ta shënojnë edhe dy gola tjerë dhe ta sigurojnë fitoren.

Goli i parë në këtë pjesë erdhi në minutën e 83-të dhe ishte Alexis Sanchez, i cili shënoi për 0-2 pas asistimit të Victor Moses, ndërsa Lukaku (90+) shënoi golin e dytë personal dhe siguroi fitoren me rezultat 0-3.

Pas kësaj fitore, Interi e sheh veten në pozitën e dytë me 76 pikë apo katër më pak se Juventusi i pari, ndërsa Genoa zë vendin e 17-të me 36 pikë.

Në ndeshjen e radhës, zikaltrit e presin në shtëpi Napolin, teksa Genoa udhëton te Sassuolo. /Telegrafi/