Telegrafi

Interi i dorëzuar në garë për titull, mposhtet në shtëpi nga Bologna

Inter vs Bologna (Foto: Marco Luzzani/Getty Images/Guliver)

Interi ka dështuar të fitojë në shtëpi, pasi është mposhtur 2-1 nga Bologna në javën e 30-të në Serie A.

Edhe pse Nerazzurët e filluan takimin me disa aksione mjaftë të mira, e kishin të vështirë të kalonin në mbrojtjen mysafire.

Por, ishte minuta e 22-të kur Romelu Lukaku e zhbllokoi rezultatin për 1-0, e që i dha edhe më shumë forcë skuadrës së tij.

Inter vs Bologna (Foto: Marco Luzzani/Getty Images/Guliver)

Pjesa e parë përfundoi me këtë gol të belgut, ndërsa në të dytën gjërat ndryshuan për të keq ndaj vendasve.

Fillimisht Bologna mbeti me një lojtar më pak në fushë, shkaku që Roberto Soriano u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 57-të.

Lautaro Martinez (62’)  kishte shansin që të dyfishonte epërsinë, mirëpo dështoi nga pika e bardhë.

Inter vs Bologna (Foto: Marco Luzzani/Getty Images/Guliver)

Nga kjo gjë përfituan vetëm mysafirët, duke arritur t’i barazonin fillimisht shifrat në 1-1 me anë të Musa Juwara, që shënoi në minutën e 74-të.

Më pas, Interi mbeti po ashtu me dhjetë lojtarë në fushë, shkaku që Alessandro Bastoni u pëjashtua nga loja pas dy kartonëve të verdhë në minutën e 77-të.

Gjashtë minuta më vonë, Musa Barrow e përmbysi rezultatin, për të kaluar kështu skuadrën e tij në epërsi dhe për t’i shkaktuar Interit humbjen e pestë në këtë sezon.

Pas javës së 30-të, Interi gjendet në pozitën e tretë me 64 pikë, ndërsa në xhiron e 31-të do të takohen me Hellas Veronën. /Telegrafi/