Davide Frattesi do të largohet nga Sassuolo pas gjashtë viteve qëndrim në Mappei stadium.
Mesfushori italian është gati për ta bërë hapin e madh në karrierë pasi ka pasur një sezon fantastik me fanellën zigjelbër.
Në 36 ndeshje zyrtare, Frattesi ka shënuar shtatë gola dhe ka zgjuar interesimin e skuadrave të mëdha italiane si Roma, Juventus e së fundmi edhe Inter që është futur në garë.
Finalistët e Ligës së Kampionëve janë duke kërkuar ta përforcojnë mesfushën dhe Frattesi është dëshira e trajnerit Simone Inzaghi.
23-vjeçari i ka bërë të qartë drejtuesve të klubit se dëshiron të largohet në fund të sezonit dhe tanimë klubet e mëdha po konkurrojnë për t’i fituar shërbimet e tij.
Interi është gati t’i përmbush kërkesat e Sassuolos prej 30 milionë eurove për transferimin e Frattesit, por tani mbetet të arrihet një marrëveshje me futbollistin.
Reprezentuesi italian dëshiron të rikthehet te Roma që posedon edhe 30 për qind të kartonit të tij, por Giallorosët ende nuk kanë bërë një ofertë për të.
Gjithsesi largimi i tij nga Mappei stadium është i sigurt në verë, por mbetet të shihet se ku do të transferohet mesfushori shumë perspektiv italian. /Telegrafi/