Mediat italiane theksojnë se udhëheqësit e kampionatit të Serie A, Interi janë klubi më i fundit italian që kanë shprehur interesim për sulmuesin e Barcelonës, Gerard Deulofeu.
23-vjeçari kaloi gjysmën e dytë të sezonit të kaluar në huazim në Serie A me Milanin pasi nuk u përfshi në ekipin e parë të Evertonit.
Pas kësaj u kthye në Camp Nou në afatin kalimtar të verës në një marrëveshje prej 12 milionë eurosh, e cila ishte si klauzolë e ri-blerjes.
Një raport në gazetën italiane Tuttosport pretendon se Nerazzurrët do t’i drejtohen sulmuesit spanjoll vetëm më një kusht.
Transferimi i Deulofeut do të bëhej i mundur vetëm nëse ata do të dështojnë në përpjekjet e tyre për të transferuar në janar sulmuesin e Bolognas, Simone Verdi.
Më herët gjatë kësaj jave, mediumi Rai Sport pretendoi se Napoli do të futet në një marrëveshje huazimi për Deulofeu, me Barçën që thuhej se ishte e hapur për të bërë marrëveshje.
Sulmuesi spanjoll ka bërë vetëm pesë ndeshje si titullar në La Liga këtë sezon për Blaugranët, duke shënuar vetëm një herë.
Deulofeu mund të luajë në të dyja anët e sulmit të përbërë nga tre lojtarë, ndërsa çmimi i tij besohet të jetë rreth 20 milionë euro. /Telegrafi/