Telegrafi

Inter do të hap së shpejti bisedimet me Federico Dimarcon për rinovimin e kontratës

Shefi i Interit, Beppe Marotta, ka zbuluar se ‘Nerazzurrët’ së shpejti do të ulen dhe të bisedojnë me Federico Dimarcon për të diskutuar rreth rinovimit të kontratës.

Këtë e bëri të ditur në një prononcim për media pas fitores minimale të Interit me rezultat 1-0 ndaj Empolit.

Ekipi i drejtuar nga Simone Inzaghi është lider në Serie A me pesë fitore në po aq ndeshje.

“Jeta është krijuar nga ëndrrat dhe realiteti, dhe realiteti është se ne dëshirojmë të fitojmë Scudetton, ndërsa Evropa është një ëndërr që pothuajse u bë realitet vitin e kaluar”, ka thënë fillimisht Marotta.

Dimarco shënoi golin e vetëm në takimin ndaj Empolit dhe Marotta nuk e fshehu kënaqësinë e tij rreth paraqitjes së mbrojtësit italian.

“Dimarco po shfaq një karakter që i takon këtij klubi, në jemi të lumtur dhe krenar”, u shpreh ai.

25-vjeçari ka kontratë valide me Interin deri në qershor të vitit 2026.

Më herët, ai ka luajtur për klube si Hellas Verona, Parma, Sion, Ascoli.

Kartoni i tij në treg momentalisht vlerësohet rreth 35 milionë euro, por paraqitjet e tij të mira me fanellën e klubit nga qyteti i Milanit, kanë bërë që drejtuesit e klubit ti dhurojnë atij statusin e lojtarit të paprekshëm.

Ndeshjen e ardhshme Inter do të ketë punë me Sassuolon e Nedim Bajramit, sfidë kjo që do të zhvillohet të mërkurën me fillim nga ora 20:45./Telegrafi/