Telegrafi

Inter po synon ta ‘blindojë’ me kontratë të re Barellan

Inter janë në negociata për të zgjatur kontratën e Lautaro Martinez dhe tani raportohet se kanë hapur bisedimet edhe me Nicolo Barellan.

“Nerazzurët” momentalisht e gjejnë veten në krye të tabelës në Serie A me katër pikë më shumë se Juventusi në vendin e dytë të cilët i mposhtën mbrëmë me rezultat 1-0 në “San Siro”.

Ata janë gjithashtu duke punuar edhe në të ardhmen për të konsoliduar skuadrën dhe yjet e saj, andaj këtu nuk bën përjashtim as Nicolo Barella.

Kontrata e të dy lojtarëve skadon në qershor të 2026 dhe Calciomercato ka raportuar se teksa bisedimet me Lautaron janë bërë temë, diskutimet kanë filluar gjithashtu edhe me agjentët e Barellas.

Barella momentalisht përfiton rreth 5 milionë euro në sezon plus 1 milionë euro bonuse. Ai këtë javë do t’i mbush 27 vjet dhe u transferua tek Interi nga Cagliari për shumën e 44 milionë eurove në verën e vitit 2019.

Vlera e tij në treg prej asaj kohe është dyfishuar dhe shpeshherë ka qenë i lidhur me ekipe të ndryshme si Liverpool, Manchester United, Arsenal, Chelsea dhe Tottenham Hotspur.

Sidoqoftë, do të duhej të ndodhte diçka e jashtëzakonshme në mënyrë që Interi të ndajë rrugët me futbollistin italian, pasi tani ka një listë të caktuar të lojtarëve që do të shiten gjatë verës për të rritur fondet./Telegrafi/