Interi thuhet se ka arritur marrëveshje me Lautaro Martinez për kontratën e re, e cili do ta mbajë në klub deri në qershor 2024.
Argjentinasi arriti nga Racing Club në korrik 2018 për 25 milionë euro dhe që atëherë është kthyer si një lojtar i rëndësishëm për klubin nga “Giuseppe Meazza”.
23-vjeçari ka shënuar nëntë gola në 19 ndeshje të Serie A këtë sezon, duke ndihmuar Interin të renditet i dyti.
Mediat në Itali kanë shkruar vazhdimisht se ai ishte afër nënshkrimit të një marrëveshjeje të re deri në verën e 2025, por Tuttomercatoweb zbulon se marrëveshja e re do të jetë një vit më e shkurtër se sa pritej.
Marrëveshja e tij aktuale skadon në qershor 2023 dhe ylli argjentinas do të shtojë një vit më shumë në kontratën e tij, ku do të rritet edhe paga e tij.
TMW zbulon se agjentët e tij kanë mbërritur në selinë e Interit dhe se klauzola e lirimit prej 111 milionë euro mbetet në marrëveshjen e re.
Ka zëra edhe për një klauzolë anti-Juventus në kontratën e re, por duket se “Il Toro” është i vendosur të qëndrojë në Inter. /Telegrafi/