Izraeli ka intensifikuar sulmet në Rripin e Gazës, duke vazhduar bombardimet nga ajri por edhe toka e deti – duke u rritur frika se mund të zbarkojnë mijëra trupa në drejtim të kufirit.
Helikopterë, anije, armë të kalibrit të ndryshëm janë dëgjuar duke shkrepur në lindje të Gazës, ku mbi 1.000 bomba dhe raketa janë hedhur nga forcat ajrore të Izraelit, duke shkatërruar disa “komplekse” operative që i shfrytëzonte Hamasi – duke mos harruar edhe tunelet nëntokësore në qytetin e Gazës, që ushtria i referoheshin si “metro”, transmeton Telegrafi.
Konfuzioni dhe paniku ka mbretëruar kur forcat ajrore izraelite pas mesnatës u mbrojtën nga këmbësoria duke sulmuar Gazan, por disa orë më vonë zëdhënësi i ushtrisë izraelite njoftoi se operacionet ushtarake janë kryer përgjatë kufirit, dhe se nuk ka pasur kalim të kufirit nga ushtria izraelite.
E ky operacion ka bërë që mbi 9 mijë rezervistë izraelitë të jenë në gjendje gatishmërie, derisa palestinezët kanë filluar të braktisin shtëpitë e tyre në afërsi të vendeve ku po kryhen sulmet.
Por çfarëdo lloj “pushtimi” do të shënonte eskalim situate dhe dhunë të paparë, në kohën kur numri i të vdekurve nga sulmet është rritur dukshëm në këto pesë ditët e fundit.
Deri më tani janë raportuar për 120 palestinezë të vrarë, përfshirë 31 fëmijë dhe 19 gra, e numri i të plagosurve ka shkuar në 830. Në anën tjetër, 9 izraelitë janë vrarë përfshirë një ushtar dhe një 6-vjeçar.
Si kundërpërgjigje ndaj sulmeve, Hamasi ka shkrepur 220 raketa nga Gaza në drejtim të qyteteve izraelite, ka njoftuar ushtria e Izraelit – ku tri tjera janë shkrepur mbrëmë nga Libani – përkatësisht nga Hezbollahu.
Sulmet kanë vazhduar edhe në orët e para të mëngjesit të sotëm, ku aeroplanët izraelitë ia mësynë caqeve të Hamasit në Rripin e Gazës. /Telegrafi/