Agjencitë amerikane të inteligjencës besojnë se shpërthimi në spitalin e Gazës një javë më parë u shkaktua nga një raketë palestineze, që iu prish motori dhe u nda në dy pjesë, kurse koka e mbushur me eksploziv goditi parkingun e spitalit.
Duke iu drejtuar gazetarëve në një bisedë telefonike, zyrtarë të inteligjencës amerikane thonë se “kanë besim të lartë” në vlerësimin e tyre se Izraeli nuk e ka shkrepur raketën, dhe se besojnë se militantët palestinezë kanë shkrepur raketën në mbrëmjen e 17 tetorit, transmeton Telegrafi.
Janë të sigurtë se bëhet fjalë për raketën që është shkrepur nga militantët palestinezë, por se nuk janë qind për qind të sigurtë nëse ishte vepër e Xhihadit Islamik palestinez.
“Me besim të madh vlerësojmë që Izraeli nuk është përgjegjës për shpërthimin në spital dhe se përgjegjës janë militantët palestinezë”, tha një nga zyrtarët e inteligjencës amerikane.
“Të dhënat bazohen në një bisedë të përgjuar mes të dyshuarve që e konfirmon këtë”, u tha ndër tjera nga inteligjenca amerikane, duke theksuar se akoma janë duke hetuar dhe së shpejti do të konfirmojnë se për cilin grup bëhet fjalë saktësisht. /Telegrafi/