Site icon Telegrafi

Integrimi i serbëve kërkon kohë, lidership të përgjegjshëm dhe partneritet

Siguria fizike për serbët e Kosovës është shumë më e mirë, porse duhet përmirësuar sigurinë ekonomike, qeverisjen e mirë, zbatimin e ligjit dhe kushtet elementare për jetesë.

Integrimi i serbëve të Kosovë brenda sistemit të Kosovës kërkon kohë, lidership të përgjegjshëm nga të dy komunitetet, partneritet me qytetarët, programe afatgjata bashkëpunimi, si dhe të ndërtohet mirëbesimi i ndërsjellë.

Këto janë disa prej të gjeturave kryesore që kanë dalë nga Tryeza e Rrumbullakët, e mbajtur të martën në Prishtinë, ku është diskutuar ndërlidhja e serbëve të Kosovës me sistemin në Kosovë, integrimin e tyre dhe ndërtimin e sigurisë, organizuar nga Qendra Kërkimore për Politika të Sigurisë (SPRC) me mbështetjen dhe bashkëpunimin me Friedrich-Ebert-Stiftung (FES) në Kosovë.

Tryeza me titull “Integrimi përmes sigurisë apo siguria përmes integrimit” ka identifikuar dhe diskutoi përparësitë dhe dobësitë e marrëveshjeve midis Kosovës dhe Serbisë, gjatë periudhës së fundit të dialogut të lehtësuar nga BE-ja në Bruksel, dhe ndikimin e tyre në fushën e integrimit dhe të sigurisë në nivel lokal dhe qendror dhe në veçanti të diskutohet pikëpamja e serbëve të Kosovës në këtë temë.

Burim Ramadani, nga SPRC-ja, ka thënë se është e rëndësishme që në vazhdimësi të ketë matje të efektit praktik që kanë marrëveshjet në Bruksel, duke synuar këtu integrimin e serbëve të Kosovës dhe rritjen e sigurisë.

Millan Radojeviq, zëvendës ministër i Punëve të Brendshme, ndër të tjera ka thënë se integrimi i pjesëtarëve të MUP-it dhe të “Mbrojtjes Civile” në institucionet e Kosovës ka përmirësuar situatën e sigurisë në veri të Kosovës.

“Procesi i integrimi nuk është i shpejtë. Puna në sistem të ri kërkon kohë. Veshja e uniformave të reja kërkon kohë për secilin”, ka thënë Radojeviq, duke shtuar se “integrimi në sistemin e Kosovës është përcaktim politik, pavarësisht nëse këtë e duan apo jo shumica e qytetarëve në veri”.

Ndërsa, deputeti Nenad Rashiq, ka theksuar se serbët e Kosovës nuk kanë vetëm nevojë për siguri fizike, por edhe për siguri ekonomike.

“Nuk të hyn në punë nëse ke siguri fizike, por nuk ke kushte për ekzistencë”, tha ndër të tjera Rashiq.

Sipas tij, përgjegjësia e politikanëve lokalë është shumë e rëndësishme dhe sidomos kur është në pyetje zbatimi i ligjeve.

Drejtori i FES-it në Kosovë, Wulf Lapins, ka thënë se procesi i pajtimit është shumë i rëndësishëm në Ballkan, duke përfshirë këtu Kosovën, dhe se për këtë kërkohen lidership i fuqishëm. /Telegrafi/

Exit mobile version