Branisllav Bakarxhiev, çdo ditë vjen në tregun e gjelbër në Shkup, që t’i shes prodhimet e përgatitura në shtëpi siç janë ajvari, mjalta, hudhra dhe kërpudha. Ai frikohet se nëse Maqedonia bëhet anëtare e Bashkimit Evropian, biznesi i tij si dhe shumë biznese tjera, nuk do të arrijnë t’i përmbushin kriteret dhe standardet e Bashkimit Evropian dhe si rezultat i kësaj, do të duhen ta mbyllin burimin e vetëm të të ardhurave.
“Nuk mund t’i shesim, sepse nuk mund t’i përmbushim ato standarde. Për shembull nëse nesër, hyjmë në BE, ne me këto standarde nuk mundemi. Kemi shumë probleme me hesapet, sistem i këtillë, sistem i atillë”, u shpreh Branisllav Bakarxhiev, shitës.
Nga ana tjetër, kompanitë që tanimë punojnë sipas standardeve dhe kritereve të atilla, thonë se për ta nuk do të jetë ndryshim i madh, sepse ata veçse kanë eksport të lirë. Bashkëpronari i firmës Bonum nga Shkupi, thotë se do të ketë problem me prodhuesit e vegjël dhe se ky problem do të duhet të zgjidhet.
“Vazhdimisht shoh nëpër tezga se si ndonjëri në shishe të fantës ka vënë fafarona. Kush e kontrollon për të parë se sa konservues dhe cilin konservues e ka vënë. Blerësi do ta blejë pa kurrfarë deklarate, pa kurrfarë garancie, se a i përmbush kushtet ky prodhim që duhet të jetë sipas standardeve”.
Ambasadori hungarez në Maqedoni, Laslo Luks, tha se shteti i tij i kishte të njëjtat probleme, pas anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Sipas tij, prodhuesit e vegjël dhe shitësit në tregjet e gjelbra mund të mbrohen prej kritereve rigoroze të Bashkimit Evropian në qoftë se për këtë ka mirëkuptim prej institucioneve kompetente, njofton Tv 21.
“Kjo është një çështje e ndjeshme, e cila shkaktoi probleme të mëdha në Hungari. Por, përvoja jonë tregon se përderisa ka mirëkuptim prej institucioneve, është e mundur të mbrohen prodhuesit e vegjël dhe shitësit e tregjeve të gjelbra edhe krahas kritereve rigoroze të Bashkimit Evropian. Pikërisht këtë e bëjnë institucionet e Hungarisë, në çdo mënyrë mundohen t’i mbrojnë këto katogori të bizneseve”, tha Laslo Luks, Ambasador i Hungarisë në Maqedoni.
Maqedonia me vite ka status të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, edhe pse kohëve të fundit për shkak të krizës politike, procesi i përafrimit drejt Brukselit është ngadalësuar. Por, përkundër kësaj, përgatitjet për anëtarësim në të ardhmen nuk ndalen. Një prej tyre është edhe ngritja e vetëdijes tek prodhuesit e vegjël se pa pranimin e standardeve rigoroze evropiane, rruga drejt Evropës nuk do të jetë e mundur. /Telegrafi/