Kryeministri Albin Kurti ka folur për themelimin e Institutit për hulumtimin e krimeve të kryera nga Serbia gjatë luftës së fundit në Kosovë, në një tryezë diskutimi që po mbahet këtë të enjte.
Kreu i ekzekutivit është shprehur se ky institut shumë shpejt do të funksionalizohet.
“Kemi drejtorin e emëruar, Atdhe Hetemin dhe shumë punë që na presin”, ka thënë Kurti, duke shtuar se “askush nuk duhet dhe nuk mund të pretendojë se lehtësisht do të arrijmë të zgjidhim problemet që janë shkaktuar që 24 vjet”.
Kryeministri është shprehur me shqetësim se po humb kujtesa parësore e luftës dhe sipas tij, ky është rrezik i madh që i kanoset vendit.
“Do të jetë shumë e vështirë. Njerëzit janë të lodhur. Viktimat kanë humbur besimin në sistem. Gjeneratat po vdesin përditë e kështu po humb kujtesa parësore e luftës. Ky është një rrezik i madh që na kanoset. Duhet të sigurohemi që të bëjmë më të mirën që mundemi që të adresojmë gjithë atë që ka ndodhur gjatë luftës së fundit në Kosovë”, ka deklaruar ai.
Kryeministri mes tjerash ka thënë se as 25 vjet pas luftës Kosova nuk ka një shifër që do të tregonte se cili është dëmi ekonomik që lufta i ka shkaktuar vendit.
“Situata është edhe më keq në raport me dëmin emocional e psikologjik që s’e kemi adresuar për tërë këto vite. Kjo është arsyeja pse kemi vendosur që ta fillojmë punën me një ekip i cili është marrë ekskluzivisht me përgatitjen e analizës, e cila do të ishte mënyra më e mirë për të proceduar me themelimin e institutit. Kjo na ka shërbyer shumë sepse instituti nuk është themeluar me vendim e pa strategji operacionale”.
Ai ka shtuar se Instituti nuk është nën mëshirën e donacioneve, por e ka linjën e vet buxhetore dhe ka e do të vazhdojë të ketë ekspertë të fushës.
“Do të jetë po ashtu në koordinim me institutet e tjera në rajon dhe ato ndërkombëtare. Instituti për herë të parë pas luftës parasheh divizion të veçantë për dëmin e shkaktuar material dhe jomaterial si dhe nevojat e viktimave. Instituti duhet të ketë përkrahjen e të gjithëve nëse dëshirojmë që të ketë sukses”, ka deklaruar Kurti. /Telegrafi/