Bazuar në premtimet zgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, Instituti për Studime të Avancuara (GAP) kishte publikuar një grafikë e cila pasqyron kursimet qeveritare në rast se qeveria e re i përmbahet premtimeve për numrin e posteve ministrore.
Sipas GAP, qeveria e dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit 2019 nuk i’u përmbajt në tërësi premtimit.
“Qeveria e dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit 2019 nuk i’u përmbajt në tërësi premtimit. Sot, Instituti GAP publikon infografikën e re lidhur me postet ministrore dhe ndryshimet nga qeveria e kaluar”, thuhet në njoftimin e GAP-it, përcjell Telegrafi.
Nga 21 ministri që ishin gjatë qeverisjes së Ramush Haradinajt, qeveria e re e krijuar nga partnerët e koalicionit Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, nën drejtimin e Albin Kurtit do t’i ketë 15 ministri.
Qeveria Kurti, përveç 15 ministrive do t’i ketë dy zëvendëskryeministra dhe 33 zëvendësministra, ndërsa, Qeveria Haradinaj kishte pesë zëvendëskryeministra dhe rreth 90 zëvendësministra. /Telegrafi/