Site icon Telegrafi

Instituti EPIK: Kosova humb 7.5 milionë euro të fondeve të BE-së

Instituti EPIK njofton se Kosova humb 7.5 milionë euro të fondeve të Bashkimit Evropian nga moszbatimi i reformave.

Sipas EPIK-ut, institucionet e Kosovës është dashur të zbatojnë 23 reforma të paraparë në Marrëveshjen e Financimit për Programin e Veprimit, të cilat deri më tani janë zbatuar 8 reforma.

Nga moszbatimi i këtyre reformave, Kosova humb 7.47 milionë euro.

“Institucionet e Kosovës është dashur të zbatojnë 23 reforma specifike dhe të fitojnë €16.5 milion përkrahje drejtpërdrejt buxhetore nga fondet e BE-së. Në vend të kësaj, institucionet kanë zbatuar vetëm 8 reforma specifike dhe kanë fituar €9.03 milion, duke humbur kështu €7.47 milion nga fondet e BE-së”, thotë EPIK, përcjell Telegrafi.

Njoftimi i plotë

Në dhjetor 2017, Kosova dhe Bashkimi Evropian nënshkruan Marrëveshjen e Financimit për Programin e Veprimit për Kosovën për vitin 2016 – Pjesa II – Mbështetja Sektoriale Buxhetore.

Në kuadër të kësaj marrëveshje, Kosova ka marr për obligim që të zbatoj reformat në fushën e administratës publike, në përputhje me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA) dhe Agjendën Evropiane të Reformave (ERA), drejt krijimit të një administrate publike të pavarur, profesionale dhe në shërbim të qytetarit. Institucioni përgjegjës për koordinimin e zbatimit të marrëveshjes është Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike.

Sipas marrëveshjes, institucionet e Kosovës u zotuan se gjatë 2018-2020 do të zbatojnë 8 reforma në fushën e administratës publike, të cilat do të vlerësohen me anë të 33 indikatorëve. Ndërsa, në anën tjetër Bashkimi Evropian u zotua se zbatimin e reformave të dakorduara do të shpërblej me €22 milion të mbështetjes direkte buxhetore, përmes katër transheve financiare në vlerë prej €5.5 milion secila. Thënë ndryshe, institucionet e Kosovës përmes zbatimit të këtyre reformave do të fitonin një injektim financiar në vlerë prej €22 milion të cilin do të mund të orientonin për përkrahjen financiare të bizneseve, ofrimin e bursave për studentet, ndërtimin e shkollave, spitaleve apo çfarëdo shërbimi tjetër publik në të mirën e qytetarëve.

Në vitin 2018 Kosova ka pasur të përmbush dymbëdhjetë indikatorë, në vitin 2019 njëmbëdhjetë indikatorë dhe në vitin 2020 dhjetë indikatorë. Gjatë gjithë kësaj kohe, institucionet e Kosovës është dashur po ashtu të sigurojnë në vazhdimësi përmbushjen e katër parakushteve.

Në këtë kontekst, transhi i parë prej €5.5 milion nuk ka qenë i kushtëzuar me indikatorë, dhe rrjedhimisht është zbatuar në tërësi. Transhi i dytë është zbatuar në vlerë prej €3.11 milion pasi që institucionet e Kosovës kishin përmbushur 7 nga 12 indikatorë variabil. Transhi i tretë është zbatuar në vlerë prej vetëm €0.42 milion pasi që institucionet e Kosovës kishin përmbushur vetëm 1 nga 11 indikatorë variabil. Transhi i katërt është shtyrë për vitin 2021 për shkak të efekteve të pandemisë.

Pra sipas marrëveshjes deri më sot, institucionet e Kosovës është dashur të zbatojnë 23 reforma specifike dhe të fitojnë €16.5 milion përkrahje drejtpërdrejt buxhetore nga fondet e BE-së. Në vend të kësaj, institucionet kanë zbatuar vetëm 8 reforma specifike dhe kanë fituar €9.03 milion, duke humbur kështu €7.47 milion nga fondet e BE-së.

Humbja e radhës e fondeve të BE-së është indikator shqetësues i mungesës së theksuar të vullnetit politik dhe kapaciteteve administrative në zbatimin e reformave Evropiane dhe paralajmërim për vështirësitë në të cilat Kosova do të has në zbatimin e IPA III për vitet 2021-2027 ku vetëm do të ashpërsohen kërkesat për performansë në shfrytëzimin e fondeve të BE-së. /Telegrafi/

Exit mobile version