Instituti EPIK përmes një njoftimi për media thekson se ka përcjell me shqetësim zhvillimet rreth Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA), të cilat kulmuan me përjashtimin e AKA-së nga Asociacioni Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA).
Sipas njoftimit për media “EPIK”, thekson se zhvillimi i sotëm ndodh në vazhdën e mungesës së vëmendjes dhe vullnetit politik për avancimin e sistemit arsimor në Kosovë.
“Për më tutje, zhvillimi i sotëm është hap mbrapa në zbatimin e Marrëveshjes Stabilizim Asocimi dhe Agjendës Evropiane të Reformave. Titulli VIII, neni 107 i Marrëveshjes Stabilizim Asocimi, krijon obligime kontraktuale për Republikën e Kosovës, respektivisht: “Prioritet i sistemit të lartë arsimor do të jetë arritja e standardeve adekuate të kualitetit të institucioneve dhe programeve respektive, në harmoni me objektivat me procesin e Bolonjes dhe Deklaratën.” Shtylla III, prioriteti 5 i Agjendës së Reformave Evropiane (ERA) kërkon nga institucionet e Kosovës të ndërmarrin masa të cilat sigurojnë: “Përmirësimin e cilësisë së arsimit, me theks të veçantë tek përmirësimi i cilësisë së përgjithshme të arsimit të lartë””, thuhet në njoftim.
Instituti EPIK thekson se zhvillimet sikur ky i sotëm dëshmojnë mungesën e pjekurisë dhe vullnetit politik për zbatimin e detyrimeve që rrjedhin nga Marrëveshja Stabilizim Asocimi dhe Agjenda Evropiane e Reformave.
“Këto zhvillime dëmtojnë perspektiven Evropiane të Kosovës dhe largojnë Kosovën edhe më tutje nga përcaktimi strategjik i Kosovës për anëtarësim në BE. Ftojmë institucionet përgjegjëse që të kthejnë vëmendjen në avancimin e sistemit arsimor në Kosove, dhe në veçanti të fillojnë një dialog të afërt me ENQA për të adresuar sfidat e identifikuara, me qëllim të ri-pranimit të Kosovës në ENQA”, thuhet tutje në komunikatë.
Ndryshe në letrën dërguar Agjencisë së Kosovës për Akreditim, presidenti i ENQA-s Christoph Grolimund, ka shkruar se bordi i ENQA-s ka ardhur në përfundim se niveli i përgjithshëm i pajtueshmërisë me Standardet dhe udhëzimet për sigurimin e cilësisë në Hapësirën Evropiane të Arsimit të Lartë (ESG) nuk është i mjaftueshëm për të përmirësuar anëtarësimin e Agjencisë në këtë fazë./Telegrafi/