Telegrafi

Institucionet t’i trajtojnë prodhuesit më dinjitetshëm

Institucionet e Kosovës nuk po dinë t’i trajtojnë si duhet investitorët potencialë dhe të cilat po e humbin besimin nga investitorët, tha Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve, në Kuvendin e VI zgjedhor në regjionin e Gjilanit, ku u zgjedhën delegatët për Kuvendin e VI zgjedhor të përgjithshëm që do të mbahet me 15 prill.

“Institucionet nuk po i japin mbështetje të duhur prodhimit vendës, ata produktet nuk po i konsumojnë as nëpër institucione edhe pse prodhuesit po marrin çmime ndërkombëtare të cilësisë së lartë”, tha Shahini.

Kryetari i AKB-së, tregoi se në vendin tonë po aplikohen politika fiskale jo adekuate dhe të cilat po presim të ndryshohen në dobi të biznesit sidomos prodhuesve nga institucionet e reja.

Ai shtoi se nga vendi pos konsumatorëve po ikin edhe bizneset, ku pasojat e ikjes së mbi 100 mijë konsumatorëve sjellin pasoja afatgjate.

“Shteti ka obligime të mëdha ndaj bizneseve dhe ku duhet të bëhen reforma thelbësore”, ka shtuar Shahini.

Sipas tij, zëri i biznesit është shumë i rëndësishëm.

Kryetari i AKB-së, tha se ndërrimi i pushteteve dhe i politikave të tyre, po krijon pasiguri tek investitorët dhe institucionet duhet të krijojnë politika afat gjate.

Ai shtoi she Gjilani dikur ishte vend industrisë prodhuese, ndërsa tash është shndërruar në një vend ku më shumë ofrohen shërbime sesa prodhim dhe prioritet duhet të kushtohet prodhimit.

Procesi zgjedhor ka përfunduar në të gjitha regjionet e Kosovës ku janë zgjedhur strukturat regjionale dhe delegatët për Kuvendin e përgjithshëm të VI zgjedhor.

Shemsi Kastrati, koordinator i AKB-së për rajonin e Gjilanit, premtoi se do të jetë zë i fuqishëm i bizneseve. /KP/