Site icon Telegrafi

Institucionet qendrore dhe lokale nuk po i respektojnë rekomandimet e Auditorit

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka analizuar raportet e publikuara të Auditimit të rregullsisë për vitin 2016, të Zyrës Kombëtare të Auditimit, për të gjitha Institucionet e nivelit qendror dhe lokal, si institucionet me qarkullimin më të madh të parasë publike.

Janë një numër i çështjeve të cilat përsëriten nga viti në vit si gjetje të raporteve të Zyrës Kombëtare të Auditimit. Të njëjtat janë evidentuar edhe në raportet që mbulojnë vitin 2016.

Gjetjet nga kjo analizë u bënë të ditura gjatë një konference për shtyp sot, me ç‘rast Artan Canhasi nga KDI, theksoi se shkeljet në prokurimin publik janë evidente në shumicën e raporteve të publikuara nga ZKA, me një përfshirje gati 20% të të gjitha gjetjeve.

Kurse Diana Metushi Krasniqi nga KDI, shpjegoi se gjatë analizës së raporteve të auditimit është vërejtur që zbatimi i rekomandimeve që ofron auditori është në shkallë shumë të ulët.

“Në nivelin qendror vetëm 31% të rekomandimeve të vitit paraprak janë zbatuar plotësisht, ndërsa 35% të rekomandimeve nuk janë adresuar fare. Sa i përket nivelit lokal vetëm 25% të rekomandimeve ZKA të vitit 2015 janë zbatuar plotësisht, ndërsa 40% të rekomandimeve nuk janë adresuar. Ajo që e vlen të theksohet se 34% të rekomandimeve nga viti 2015, janë në proces të zbatimit, që edhe pse nuk janë zbatuar plotësisht, ekziston një vullnet për përmirësimin e këtyre gjetjeve”, ka thënë ajo.

Më tej theksoi se KDI ka analizuar gjetjet në lëminë e prokurimit, për të analizuar burimin e problemeve më të mëdha në këtë proces. Sipas gjetjeve të renditura, rezulton se problemet më të mëdha në institucione janë të evidentuara në planifikim, 68% të institucioneve lokale dhe qendrore, financa, 62% të institucioneve lokale dhe qendrore, si dhe në menaxhimin e kontratave, 54% të institucioneve lokale dhe qendrore.

Në rreth 40% të institucioneve janë evidentuar gjetje lidhur me procesin e vlerësimit të tenderëve, me një theks në shpërblimin e Operatorëve Ekonomik të papërgjegjshëm, eliminimi i operatorëve ekonomik më të lirë, si dhe mangësi të ndryshme lidhur me përmbushjen e kërkesave të dosjes së tenderit.

“Është shqetësues fakti se nga gjetjet e potencuara, në 38% të institucioneve lokale dhe qendrore janë evidentuar shkelje në respektimin e dispozitave ligjore, respektivisht shmangie të procedurave të prokurimit. Nga krahasimi i më sipërm vërejmë se institucionet e të dy niveleve përballen pothuajse në mënyrë të barabartë me probleme në planifikim dhe financa, që jep të kuptojmë se kemi një problem sistematik në gjithë qeverisjen, i cili duhet analizuar dhe adresuar”, vlerësoi ajo.

Po ashtu theksoi se përderisa niveli lokal ka më të shprehur problemet lidhur me vlerësim të tenderëve dhe shmangie të procedurave, niveli qendror ka të shprehur problemin në menaxhimin e kontratave.

 

Nga analiza e raporteve të auditimit të rregullsisë për vitin 2016, del se komunat me më së paku gjetje të evidentuara në prokurim publik janë: Komuna e Junikut, Suharekës dhe Zubin Potokut, ndërsa komunat me më së shumti gjetje janë ato të Gjakovës, Ferizajt dhe Prishtinës. Duhet pasur parasysh se këto të fundit njëkohësisht zhvillojnë edhe numrin më të madh të prokurimeve publike në nivel lokal.

Sa i përket institucioneve qendrore, ministritë me më së paku gjetje të evidentuara në prokurim publik janë: Ministria e Integrimit Evropian, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë. Ndërsa ministritë me më së shumti gjetje janë Ministria E Punëve të Brendshme, Ministria e Administratës Publike, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ministria e Infrastrukturës dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Ndërkaq, Artan Canhasi, shtoi se duke vërejtur numrin e madh të shkeljeve në fushën e prokurimit publik, KDI beson se një numër i madh i këtyre parregullsive do të ekspozoheshin me kohë dhe do të shmangeshin në përgjithësi nëse kontratat vihen në dispozicion të publikut.

“Në vazhdim, mund të konkludojmë që Zyra Kombëtare e Auditorit ka përgatitur raporte të një kualiteti të respektueshëm. Këto raporte duhet të merren për bazë nga institucionet ndjekëse sikurse prokuroria për të evidentuar shkeljet që përbëjnë vepra penale dhe për të kërkuar përgjegjësi nga akterët që kanë shkelur ligjet”, ka thënë ai.

Gjithashtu, KDI kërkon nga institucionet si Kuvendi i Kosovës dhe Asambletë Komunale që të marrin në përgjegjësi politike zyrtarët të cilët raportojnë në këto trupa. Duhet të rritet vullneti politik dhe llogaridhënia që të mos përsëriten rekomandimet e Auditorit nga viti në vit. /Telegrafi/

Exit mobile version