Site icon Telegrafi

Institucionet në Maqedoni nuk kanë masa konkrete në lidhje me praninë e grimcave të dëmshme në ajër (Video)

Grimcat PM10 problem serioz. Sipas të dhënave të Bankës Botërore, vetëm për shkak të ajrit të ndotur në Maqedoni, në nivel vjetor janë evidentuar 1350 raste të vdekjes, ndërsa mijëra qytetarë kanë humbur punën e tyre për shkak të sëmundjeve kronike dhe kardiovaskulare të shkaktuara gjatë kryerjes së punës në ambient të hapur. Në Maqedoni, sipas raportit shtetëror të Institutit për shëndet publik, dhe sipas raporteve të përpunuara nga institucionet e autorizuara për sigurim shëndetësor profesional, thuhet se mbi 40% e punëtorëve të cilët punojnë në ambient të hapur veprojnë në kushte jo adekuate.

“Ligji parasheh implikacione financiare për operatorët dhe investitorët të cilët nuk sigurojnë mbrojtje për punëtorët të cilët janë të ekspozuar dhe të prekur drejtpërdrejt nga kushtet e këqija klimatike dhe ajri i ndotur. Megjithatë, në kushte të mungesë së akteve nënligjore përmes të cilave do të caktohen standarde të zbatueshme në këtë fushë, ligji lë hapësirë të madhe për manipulim dhe mos respektim të të drejtave ligjore të punëtorëve. Për fat të keq kjo ndikon negativisht në buxhetin nacional shtetëror dhe rezulton me humbje permanente të forcës punëtore të shëndoshë por edhe me humbje e shumë jetëve njerëzore”, tha Kiril Ristovski – Kryetar i CED Florozon.

Sëmundjet shëndetësore si pasojë e ajrit të ndotur dhe kushteve të pavolitshme të punës janë të shumta, por punëtorët nga frika e humbjes së punës në të shumtën e rasteve nuk reagojnë në lidhje me këtë problem. Këtë e dëshmon edhe hulumtimi i shoqatës Ekologist, e cila ka bërë 2 filma dokumentarë me temën “Punëtorët-Viktima të klimës”.

“Ideja ishte që të prezantohet e gjithë ajo që i mundon punëtorët, megjithatë kur shkuam të bisedojmë me punëtorët, ata nuk ishin të përgatitur për një gjë të tillë, pasi që para së gjithash më e rëndësishme për ta është që të sigurojnë pagë dhe gjatë gjithë kohës largoheshin, pasi që në një farë mënyre ata veç më kanë pranuar kushtet që të punojnë në kushte ekstreme klimatike, pa dallim të temperaturës së lartë apo ajrit të ndotur. Për ta është e rëndësishme vetëm të sigurojnë pagën”, u shpreh Katerina Spasovska Trpovska – Ekologist.

Disa nga masat të cilat mund të merren, sipas FLOROZON, me qëllim që të përmirësohet puna në hapësira të hapura janë që punëtorët të kenë rroba adekuate për punë. Gjithashtu, të ndërmerren masa mbrojtëse dhe të sigurohen pajisje që të njëjtit të mos thithin substanca të dëmshme. Ata gjithashtu propozojnë që të formohet udhëzues me fuqi detyruese, me qëllim që punëdhënësit të jenë të detyruar të respektojnë ligjin.

“Duhet të miratohen rregullore si akte nën ligjore për punë nën ambient të hapur dhe kushte të temperaturave të larta dhe të ulëta, dhe në kushte të ndotësve ekologjik , në mënyrë që të mbrohen punëtorët dhe shëndeti dhe siguria e punëtorëve para së gjithash, dhe të zvogëlohen sëmundjet profesionale, gjendjet e përkeqësuara shëndetësore, por edhe invaliditeti i punëtorëve”, tha një pjesëmarrëse e projektit.

Krijuesit e projektit Mjedis i shëndetshëm jetësor për punëtorë të shëndoshë propozon që institucionet shëndetësore të ndërmarrin masa konkrete për përmirësimin e kushteve për punëtorët dhe njëkohësisht edhe përmirësim të kualitetit të jetesës për qytetarët. Përndryshe Maqedonia edhe më tutje ngelet një nga vendet më të ndotura në Evropë./TV21/

Exit mobile version