Site icon Telegrafi

Instagram do të marrë masa ndaj të famshmëve që nuk po i deklarojnë të ardhurat nga reklamat, pjesë e hetimeve edhe këngëtarja Rita Ora

Rrjeti social Instagram është zotuar të bëjë më shumë për të ndaluar shfaqjen e reklamave të fshehura në platformë pas një hetimi nga mbikëqyrësi i reklamave në Mbretërinë e Bashkuar.

Autoriteti i Konkurrencës dhe Tregjeve (CMA) ka hetuar aplikacionin në pronësi të Facebook për shqetësimet se shumë ndikues të rrjeteve sociale po promovojnë biznese ose shërbime pa bërë të qartë faktin se këto postime janë të sponzorizuara dhe rrjedhimisht të ardhurat nga këto marrëveshje mbesin të padeklaruara, shkruan DailyMail.

Instagram më parë është akuzuar se nuk ka bërë sa duhet për të goditur blogerët që nuk arrijnë të deklarojnë siç duhet miratimet e paguara dhe çështjen më të gjerë të reklamave të fshehura, e cila është e paligjshme sipas ligjit për mbrojtjen e konsumatorit në Mbretërinë e Bashkuar.

Lexo po ashtu Rita Ora mbulon fytyrën nga paparacët, teksa fotografohet në orët e vona në shoqëri të Chris Brown dhe familjes së tij

Pjesë e këtyre hetimeve ku janë gjetur gabime në mos-deklarim të partneritet reklamues ka qenë edhe këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, e cila prej kohësh përveç muzikës, ushtron edhe profesionin si influencuese e rrjeteve sociale, duke fituar shuma të majme parash nga bizneset me të cilat ka partneritet.

Një nga dështimet e Rita Orës në Instagram për të deklaruar partneritetin me “Victoria’s Secret” (Foto: Rita Ora/Instagram)

Si pjesë e angazhimeve të reja, Instagram ka rënë dakord të prezantojë një kërkesë të re e cila do të shfaqet para se përdoruesit të postojnë, duke u kërkuar atyre të konfirmojnë nëse janë paguar në ndonjë mënyrë për të promovuar një produkt ose shërbim dhe u kërkon atyre që ta zbulojnë atë fakt qartë.

Etiketa ‘partneritet i paguar’ do të shtrihet gjithashtu për të gjithë përdoruesit, duke u mundësuar njerëzve që të bëjnë shenjë të qartë kur ata janë paguar në ndonjë formë për të promovuar një produkt në platformë.

CMA tha se Instagram ka rënë dakord gjithashtu se do të fillojë të përdorë teknologjinë dhe algoritmet e saj për të zbuluar postimet ku reklamat mund të mos jenë deklaruar siç duhet ose qartë, dhe t’i raportojë ata përdorues tek bizneset që promovohen.

Përveç kësaj, angazhimet e Instagramit do të shohin gjigantin e rrjeteve sociale të krijojë një mjet i cili do të lejojë bizneset të monitorojnë se si promovohen produktet e tyre.

CMA tha se pret që bizneset të bëjnë pjesën e tyre për të qenë në përputhje me ligjin për mbrojtjen e konsumatorit dhe të marrin masa kur është e përshtatshme, duke përfshirë edhe kërkimin nga Instagram për të hequr postimet nëse është e nevojshme.

Shefi ekzekutiv i CMA, Andrea Coscelli tha: ‘Për shumë kohë, platformat kryesore nuk kanë marrë përgjegjësi për reklamat e fshehura në faqen e tyre’.

‘Pra, ky angazhim për të trajtuar reklamat e fshehura dhe për të rishikuar mënyrën se si njerëzit postojnë në Instagram – duke e bërë të vështirë për përdoruesit të injorojnë ligjin – është një hap i mirëpritur përpara’.

Rita Ora (Foto: Elisabetta Villa/Getty Images/Guliver)

“Këto ndryshime do të thotë se nuk do të ketë asnjë justifikim për bizneset që të anashkalojnë mënyrën se si reklamohen markat e tyre – duke e bërë jetën shumë më të vështirë për ata që nuk janë paraprakë dhe të sinqertë me ndjekësit e tyre”.

Në përgjigje, një zëdhënës i kompanisë së Facebook tha: “Ne jemi të kënaqur që po punojmë me CMA në përpjekjet tona të vazhdueshme për t’i ndihmuar njerëzit të jenë transparent kur paguhen për të postuar përmbajtje marketingu në Instagram”.

“Ne jemi gjithashtu krenarë që po fillojmë një program me MediaSmart, për të ndihmuar në edukimin e të rinjve për përmbajtjen e markës dhe si ta identifikojnë atë”, shtoi ai. /Telegrafi/

Exit mobile version