Site icon Telegrafi

Inspektorët ndërkombëtarë kërkojnë marrjen e masave “urgjente” në Zaporizhja

Raporti i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (IAEA) thotë se ka “nevojë urgjente për masa të përkohshme” për të shmangur një aksident bërthamor në centralin e Zaporizhjas.

Zaporizhja është qytet në juglindje të Ukrainës, ku ndodhet centrali më i madh bërthamor në Evropë.

Në një raport të lëshuar më 6 shtator, pas një misioni në centralin bërthamor, IAEA thotë se situata aktuale rreth uzinës, e cila është marrë nën kontroll nga ushtria ruse, është “e paqëndrueshme dhe veprimi më i mirë për të garantuar sigurinë e objekteve bërthamore të Ukrainës dhe popullit të saj do të ishte që ky konflikt i armatosur të përfundonte tani”.

“Deri në përfundim të konfliktit dhe rivendosjes së kushteve të qëndrueshme, ekziston një nevojë urgjente për masa të përkohshme për të parandaluar një aksident bërthamor që vjen nga dëmtimi fizik i shkaktuar nga mjetet ushtarake”, thotë raporti, transmeton REL.

“Kjo mund të arrihet me krijimin e menjëhershëm të një zone të mbrojtur të sigurisë bërthamore”.

IAEA thotë se është gati që të fillojë “menjëherë” konsultimet që çojnë në “krijimin urgjent” të kësaj zone.

Raporti i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore vjen pasi një mision i kësaj agjencie vizitoi javën e kaluar Zaporizhjën.

Më 6 shtator, të gjashtë reaktorët e Zaporizhjës janë fikur pas granatimeve në afërsi të centralit bërthamor.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, fajësoi trupat ruse për sulmet me artileri.

Por, të dyja palët vazhdimisht fajësojnë njëra-tjetrën për rreziqet që i kanosen centralit më të madh bërthamor në Evropë që është okupuar nga forcat ruse pak kohë pasi Moska nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Exit mobile version