Rasti i vrasjes së 18-vjeçares Marigona Osmani nga Ferizaj, e cila ishte dërguar në Emergjencë pa shenja jete, ka bërë që ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, të kërkojë nga Inspektorati Policor i Kosovës të inspektojë trajtimin e rasteve të dhunës në familje nga ana e zyrtarëve policorë.
Ky inspektim është cilësuar si i jashtëzakonshëm dhe ka dalë në përfundime se në disa raste janë neglizhuar procedura nga ana e zyrtarëve policorë në rastet e dhunës në familje.
Në inspektimin e IPK-së i realizuar nga muaji gusht i këtij viti deri më tani ka rezultuar se nga 146 mostra të testuara vetëm në 30 raste është aplikuar matja e prezencës së alkoolit në gjak të të dyshuarit për dhunë në familje. Në dosjet e tjera të testuara apo kontrolluara nga ana e IPK-së ka rezultuar se nuk është aplikuar matja e alkoolit në gjak.
Sipas raportit të IPK-së i publikuar në mes të muajit tetor, thekson se një ndër shkaktarët më të shpeshte të dhunës në familje është edhe konsumimi i alkoolit apo lëndëve narkotike.
Policia e Kosovës gjatë hetimit të rasteve të tilla ka të drejtë të përdor edhe pajisjet për matjen e alkoolit në gjak për një hetim më gjithëpërfshirës të rastit.
Në këto raste nuk përjashtohen as ato për dhunë në familje për shkak se në shumë raste është vërejtur se dhuna në familje ka qenë shkak i përdorimit të alkoolit.
Inspektorati Policor i Kosovës ka thënë se zyrtarët policor që trajtojnë rastet e dhunës në familje duhet të jenë të kujdesshëm dhe dëshmitë dhe dokumentimi i dhunës në familje ndikon në marrjen e një vendimi meritor gjatë procedurës penale të rasteve të dhunës në familje.
Madje IPK ka rekomanduar udhëheqësit e njësive në nivel lokal dhe rajonal që në të gjitha rastet e dhunës në familje kur dyshohet se shkaktari mund të jetë konsumimi i alkoolit, të bëhet testimi i prezencës së alkoolit në gjak te të dyshuarit dhe rezultati i testimit të mbështetet me dëshmi brenda dosjes.
Në raportet ditore të Policisë së Kosovës, të shumta janë rastet kur të dyshuarit për dhunë në familje kanë qenë në ndikim të alkoolit.