Një grua kishte marrë lëndime trupore si pasojë e një sulmi me thikë. Në deklaratën e saj ajo kishte thënë se një person e kishte sulmuar atë me thikë, të cilës deklaratë i ishte bashkuar edhe bashkëshorti i saj 29 vjeçar, por deklarata këto që rezultuan të rrejshme.
Policia njoftoi se të martën rreth orës 23:00 policia e stacionit në Ferizaj ka pranuar informatën nga Qendra Emergjente në Ferizaj se një grua, e moshës 21 vjeçare, shtetase e huaj me vendbanim në Ferizaj është duke u trajtuar aty.
Sipas një njoftimi nga Policia e Kosovës bëhet e ditur se policët e rendit menjëherë kanë shkuar në këtë qendër dhe dyshohej se në rrugën “Tahir Sinani” në Ferizaj viktima ishte sulmuar nga një person tjetër me një mjet të mprehtë (thikë) dhe ishte larguar në drejtim të panjohur.
Ndërkaq, në njoftim thuhet se në rast janë kyçur edhe Njësia e Hetimeve, të cilët nën autorizim të Prokurorit të Shtetit i kanë nisur hetimet dhe në cilësinë e dëshmitarit kanë intervistuar edhe bashkëshortin i saj, i moshës 29 vjeçar, shtetas kosovar, i cili fillimisht kishte dhënë versionin e njëjtë të sulmit nga një person tjetër, ndërsa rasti fillimisht është cilësuar “Lëndim i lehtë trupor”.
“Në vazhdën e hetimeve, ekzaminimit të vendit të ngjarjes, nga hetuesit policorë nuk është gjetur asnjë gjurmë si në raportimin e parë. Ndërsa hetuesit kanë shkuar në shtëpinë e tyre ku ishin duke banuar dhe aty kanë hasur në gjurmë gjaku dhe mjete të mprehta (thika), me të cilat dyshohet se ishin përdorur gjatë një përleshje mes tyre dhe për këtë, i dyshuari E.B ( bashkëshorti), i cili edhe ky kishte lëndime trupore ka pranuar se kanë inskenuar rastin së bashku me bashkëshorten e tij dhe kanë deklaruar rrejshëm”, thuhet në njoftim.
Tutje bëhet e ditur se të dyshuarit pasi kanë marrë tretmanin e nevojshëm mjekësor janë shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizajt dhe me vendim të prokurorit të shtetit është ri-cilësuar rasti në “Lëndim i lehtë trupor”, “Dhunë në familje” dhe “Deklarim i rremë”, ndërsa të dyshuarit janë ndaluar në mbajtje për 48 orë, për procedura tjera hetimore. /Telegrafi/