Tri vitet e fundit përfituesi më i madh i granteve nga Bashkimi Evropian është ndërmarrja publike Infrakos, që merret me menaxhimin e infrastrukturës hekurudhore. 87 milionë euro ka të ndara, por që investimet deri më tani janë bërë vetëm në rrjetin ekzistues dhe nuk është shtuar asnjë vije hekurudhore e re.
Çdo vit kjo ndërmarrje përfiton grante për mirëmbajtje të rrjetit hekurudhor në vlerë prej 800 mijë euro edhe nga Qeveria e Kosovës.
Kryeshefi ekzekutiv i Infrakosit, Agron Thaçi, në një intervistë për KosovaPress është shprehur se grantet janë për rehabilitimin e linjës hekurudhore dhe se ato shpenzohen me fillimin e projektit në terren, por që deri më tani nuk ka ndonjë projekt që ka nisur.
Kurse, sa i përket granteve nga Qeveria e Kosovës, ai thotë se ato janë për mirëmbajtje të rrjetit hekurudhor, por shumën prej 800 mijë euro ai e quan minore.
“Ne e kemi grantet e alokuara rreth 87 milion euro deri më tani, por që ne presim t’i fillojmë shpenzimet vitin e ardhshëm, nuk kanë filluar. Grante të caktuara janë dhënë për hartimin e projekt dizajnëve, për ngritjen e kapaciteteve brenda, por ato janë grante të vogla të cilat janë dhënë dhe janë akorduar nga Bashkimi Evropian për përgatitjen e dokumentacionit teknik, respektivisht si buxhet para investim në mënyrë që të përgatitet terreni për të filluar investimet. Pra, ende nuk kemi filluar t’i shpenzojmë, por që vitin e ardhshëm pritet fillimi i shpenzimeve. Ato janë të akorduara, janë në Komision Evropian dhe në BERZH, ende nuk kemi filluar sepse me fillimin e punimeve ato vazhdojnë”, deklaron ai.
Thaçi thotë se si ndërmarrje përkujdesen që këto grante nga BE-ja dhe Qeveria e Kosovës të përdoren vetëm për investime të mëdha dhe se nuk janë për shpenzime buxhetore.
“Tek investimet e mëdha, do të thotë po flasim për rehabilitimin e rrjetit hekurudhor, ato nuk do t’i jepen Infrakosit drejtpërsëdrejti, por do të kalojnë nëpërmjet buxhetit të Ministrisë së Financave, respektivisht në BERZH, varësisht nga punimet që kryhen. Ato janë të destinuara vetëm për rehabilitimin e projektit, por nuk do të jenë për shpenzime buxhetore. Shpenzimet buxhetore, funksionimi ditor e bënë Infrakosi nga disa grante qeveritare, subvencione të cilat jepen, respektivisht nga buxheti i të hyrave të veta. Ne nuk kemi të drejtë t’i shpenzojmë për nevoja ditore grantet dhe kreditë e taksapaguesve, ato shkojnë në rehabilitimin e linjës, shkojnë nëpërmjet Ministrisë së Financave dhe institucioneve financiare ndërkombëtare”, shprehet ai.
Sa i përket granteve që merr nga Qeveria e Kosovës, Thaçi thotë se me to kanë arritur që të mirëmbajnë rrjetin hekurudhor, por që prapë thotë se granti prej 800 mijë euro është i pamjaftueshëm.
“Nga ato 800 mijë euro ne kemi arritur të bëjmë shumë, kemi mirëmbajtur rrjetin hekurudhor, kemi këtë gjendje të rrjetit, nuk kemi rrëshqitje të trenave, përveç vendkalimeve dhe aksidenteve pjesa tjetër është mjaft duke u mbajtur mirë. Ne e kemi mbajt këtë infrastrukturë, mos harroni se 335 kilometra janë dhe ne vetëm me 800 mijë euro kemi arritur që të investojmë. Këto janë investime jashtëzakonisht të vogla, që krahasuar me rajonin kjo është e pallogaritshme, e papërfillshme, vetëm Maqedonia që ka 500 kilometra hekurudhë merr në vit 10 milion euro, ndërsa ne marrim 800 mijë euro me 335 kilometra, ju mund ta bëni shumë lehtë krahasimin. Mirëpo, me ato pak mjete që i kemi marrë ne kemi arritur që sot ta kemi flotën më të mirë dhe nëse hekurudha në këto tri, katër vitet e fundit karakterizohet dhe mund të jetë e kënaqur me investime edhe nga grantet qeveritare, jo grantet e Bashkimit Evropian po qeveritare, është përmirësimi dhe vendosja e një flote mekanizimi më të avancuar, i cili nuk ekziston aktualisht në atë përbërje në rajon”, deklaron ai.
Me gjithë shumën e madhe të parave që kjo ndërmarrje merr nga grantet, kryeshefi Thaçi thotë se infrastruktura hekurudhore në Kosovë është mesatarisht e mirë. Ai shprehet se problem kryesor i kanë vendkalimet, kurse gjendje më e dobët infrastrukturore thotë të jetë në tunele.
Thaçi ka deklaruar se për 40 vite nuk është investuar, sipas tij, atë që e kanë bërë kanë qenë riparime rutinë për të mbajtur gjendjen nën kontroll që të mos cenohet siguria e qytetarëve.
Kreu i Infrakosit thotë se tani janë duke hartuar projekte që sa më shpejt të fillojë përmirësimi dhe rehabilitimi i komplet rrjetit hekurudhor.
Për vonesën e fillimit të investimeve ai arsyetohet duke thënë se infrastruktura hekurudhore është e shtrenjtë.
“Aktualisht tani më jemi në fazën e fillimit të punimeve për fazën e parë nga Hani i Elezit deri në Fushë Kosovë, ku shumë shpejt pritet që ta kemi kontraktorin, këto ditë po i përfundojmë procedurat në mënyrë që këtë vit të bëjmë përgatitjet, të fillojmë me punimet në terren. Vitin e ardhshëm me intensitet më të shtuar, po njëkohësisht përveç fazës së parë që thamë këtë vit do të fillojmë, ne pretendojmë që edhe vitin e ardhshëm të fillojmë me fazën e dytë. Vitin që vije hekurudha nga Hani i Elezit deri në Mitrovicë do të jetë vend punishte e operatorëve ku do të punojnë në rehabilitimin dhe modernizimin e saj. Punimet do të zgjasin dy vite në segmentin e parë, ndërsa në segmentin e dytë pretendojmë që punimet të zgjasin jo më tepër se një vit e gjysmë. Pra, pretendimet tona, respektivisht planet tona janë që deri në fund të vitit 2020 ne ta kemi të përmirësuar, respektivisht të kryejmë rehabilitimin e linjës hekurudhore nga Hani i Elezit deri në Mitrovicë. Ndërsa, për pjesën e tretë nga Mitrovica në Leshak ne do të duhej të presim edhe pak, ju e dini që atje janë rrethanat”, deklaron ai.
Sipas tij, tani janë duke e bërë edhe projekt dizajnin e linjës Fushë Kosovë-Prishtinë-Podujevë dhe që pretendojnë që deri në vitin 2019 të finalizojnë këtë projekt, që më pastaj të shikojnë për mundësinë e financimit.
“Ne kemi paraparë që komplet rrjeti hekurudhor linja 10 të mbulohet me 200 milionë euro, respektivisht faza e parë pretendojmë që të mbulohet me 80 deri në 100 milionë euro, që i bie vetëm faza e parë i ka 64 kilometra gjatësi. Keni parasysh që hekurudha nuk është infrastrukturë e lirë, është e shtrenjtë dhe ngritja e infrastrukturës me 64 kilometra hekurudhë në vlerë 80 deri në 100 milionë ne e konsiderojmë dhe ekspertiza e Bashkimit Evropian konsideron që është kosto jo e lartë dhe efektet do të jenë shumë më të mëdha. Nëse këto i krahasojmë me infrastrukturë tjetër, ju e dini që po bëhet fjalë për një infrastrukturë jo shumë të shtrenjtë. Pra, qasja jonë dhe mënyra e menaxhimit të parave publike do të jetë në përputhje me gjithë rregullat e Bashkimit Evropian dhe aty jemi dhe do të jemi shumë të kujdesshëm. Ndërsa, ne do të përfitojmë një infrastrukturë të nivelit më të lartë të rajonit aktualisht që e ka”, potencion ai.
Infrakosi menaxhon edhe me stacionet e trenave, ku për këto stacione kryeshefi i Infrakosit, Agron Thaçi, thotë se janë të amortizuara dhe se nuk është investuar me vite. Ai potencon se mbi 30 vite nuk është investuar në mirëmbajtjen e stacioneve ekzistuese të trenave.
Hekurudhat e Kosovës kanë gjatësi prej 333,951 kilometër linjë e hapur hekurudhore, me një gjatësi prej 105,784 kilometër në stacione dhe 103.4 kilometër linja industriale. /Telegrafi/