Telegrafi

Infermieri i cili u ther me thikë në QKUK, pritet t’i nënshtrohet intervenimit kirurgjik

Foto: Ilustrim

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, ka njoftuar se sot në vendin e tij të punës është sulmuar me thikë një infermier në Klinikën e Urologjisë.

Në njoftimin e bërë nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës thuhet se, pas plagosjes infermieri pritet t’i nënshtrohet intervenimit kirurgjik, transmeton Telegrafi.

“Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, është njoftuar se, sot në vendin e tij të punës është sulmuar me thikë, në Klinikën e Urologjisë, infermieri F.B. Sulmi ka ndodhur, pas orës 14.00, derisa infermieri po kryente punën e tij. Infermieri pritet t’i nënshtrohet intervenimit kirurgjik”, thuhet në njoftim.

Më tej në njoftim thuhet se për rastin është informuar edhe Policia e Kosovës.

“ShSKUK shpreh indinjatën e thellë për këtë rast dhe dënon ashpër sulmet ndaj mantel-bardhëve, të cilat janë të pa pranueshme. Ofendimet, dhuna, e deri tek sulmet fizike, të tilla si ky i ditës së sotme ndaj mantel-bardhëve ka pasur në vazhdimësi, andaj ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të respektojnë punën e mantel-bardhëve, ndërsa sulmuesit e tillë të marrin përgjigjen e merituar nga organet kompetente. Është koha e fundit që sulmet e tilla të ndalen njëherë dhe përgjithmonë ndaj punëtorëve shëndetësorë”.

Pas therjes së infermierit, Sindikata e Infermierëve të Kosovës ka ftuar në protestë të gjithë infermierët që ndodhën në punë tani.

“Sindikata e infermierëve të Kosovës, ju bën thirrje të gjithë infermierëve, që janë tani në punë, që të mblidhen menjëherë para Emergjencës në QKUK, në shenjë proteste për plagosjen e infermierit F. Nga Klinika e Urologjisë”./Telegrafi/