Peticioni me 128 nënshkrime u është dorëzuar sot nga infermierët krerëve të shtetit.
Infermierët po protestojnë duke kërkuar vazhdimin e kontratave të punës.
Përfaqësuesja e infermierëve, Arlinda Mustafa, tha se fillimisht peticioni i është dorëzuar presidentes Vjosa Osmani, kryeministrit Albin Kurti, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.
“Është dorëzu edhe në ShSKUK por sekretari ka thënë i kemi dokumentet që i keni lënë dje dhe se do të protokollohen”, tha Mustafa për KALLXO.com.
Ajo thotë se për të enjten në ora 9:00 janë duke planifikuar të protestojnë përsëri përballë Ministrisë së Shëndetësisë, për të njëjtën arsye – vazhdimin e kontratave të punës.
Rrezikuan edhe shëndetin e tyre duke trajtuar pacientët me COVID-19, por rreth 360 infermierë që ishin punësuar për nevoja klinikave të SHSKUK dhe QKMF, në trajtimin e pacientëve gjatë pandemisë COVID-19, nuk do t’iu vazhdohet kontrata nga Ministria e Shëndetësisë.
Infermierët ishin financuar përmes një kredie të Bankës Botërore, si pjesë e projektit emergjent për menaxhimin e pandemisë në Kosovë.
Infermierët ishin punësuar me kontrata për gjashtë muaj punë. E Ministria e Shëndetësisë (MSH) i ka njoftuar se këto kontrata nuk do të vazhdohen më.