Sindikata e Infermierëve të Kosovës ka paralajmëruar se do të dërgojnë sërish në Kushtetuese Ligjin e Pagave nëse sipas tyre ka dallime të njëjta në koeficient mes infermierëve me logopedët dhe fizioterapeutët.
“Në vitin 2019 Sindikata e Infermierëve të Kosovës dërgoi Ligjin e Pagave në Gjykatën Kushtetuese për shkak të dallimeve të mëdha që kishin koeficientët e pagave mes infermierëve dhe fizioterapeutëve e logopedëve. Të njëjtën gjë, përsëri do t’a dërgojmë Ligjin e Pagave në Gjykatë Kushtetuese nëse ndodhë një gabim e tillë”.
Përmes një komunikate për media infermierët thonë se do të kundërshtohet çdo koefecient që infermierëve u jep me pak se 70% të pagës së specialistëve.
“Poashtu do t’a kundërshtojmë me të gjitha mjetet ligjore çdo koeficient i cili është më i ulët se 70% e pagës së një mjeku specialist”, thuhet në njoftimin e Sindikatës së Infermierëve, përcjell Telegrafi.
Paga e mjekut specialist në Kosovë aktualisht është 600 euro.
Projektligji i pagave për sektorin publik pritet që muajin e ardhshëm të arrijë në Kuvendin e Kosovës për miratim, thonë zyrtarë të Qeverisë.
Nëse arrin të miratohet në këtë periudhë, zbatimi i tij nuk mund të fillojë deri në gjysmën e dytë të vitit, thonë anëtarë të Komisionit për Ekonomi dhe Financa në Kuvendin e Kosovës.
Ligji i pagave është miratuar në muajin shkurt të vitit 2019 dhe ka hyrë në fuqi në mars.
Por, në dhjetor të vitit 2019, institucioni i Avokatit të Popullit këtë ligj e dërgoi në Gjykatën Kushtetuese, për, siç u tha, “vlerësimin e përputhshmërisë” së këtij ligji me Kushtetutën./Telegrafi/