Telegrafi

Indrit Çullhaj, kampioni i Ballkanit që synon medaljet olimpike në xhudo

Indrit Çullhaj (Foto: Facebook/Indrit Çullhaj)

Një kampion Ballkani me vizionin dhe ambicien për të qenë një ditë medalisti i parë Olimpik në historinë e sportit shqiptar.

Xhudisti Indrit Çullhaj e dominoi turneun e zhvilluar në Korovaci të Maqedonisë, duke thyer rivalitetin e ashpër të kundërshtarëve të nivelit të lartë që vinin nga vende me traditë në xhudo si Turqia, Serbia apo edhe Kosova.

Në një sport ku mund të fitosh e humbasësh për një fraksion sekonde, 21-vjeçari u tregua gjakftohtë duke u ngjitur në majën e podiumit.

Ndjesia e të qenit kampion Ballkani është vërtetë unike për luftëtarin kuqezi, shkruan SuperSport.

E ardhmja rezervon një tjetër eveniment ku vështirësitë shumëfishohen, siç është kampionati botëror që do të mbahet për pak kohë në Baku të Azerbajxhanit, megjithatë synimet e Indritit janë të qarta dhe përgatitjet intensive kanë vijuar për të qenë në maksimumin e mundshëm.

Ëndrra në sirtar ka qenë gjithnjë medalja olimpike, por duke sakrifikuar çdo sekondë në stërvitje, nën vëzhgimin e trajnerit të mirënjohur Driton Kuka, kjo ëndërr nuk është më aq e largët dhe ka filluar të shfaqet në horizont.

Megjithatë kënaqësitë individuale të këtij sporti, kampioni i Ballkanit nuk i përfiton vetëm sepse ka një medalje dhe një titull të rëndësishëm, por edhe nga fakti që është kthyer në një shembull për të rinjtë.