Site icon Telegrafi

Indeksi i Konkurrueshmërisë së Prodhimit, Zeka: Sundimi i ligjit, qasja në financa dhe fuqia punëtore në nivele të ulëta

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë publikon të gjeturat e “Indeksit të Konkurrueshmërisë së Prodhimit 2021”, i cili pasqyron gjendjen e sektorit të prodhimit sipas indikatorëve të caktuar.

Sipas Indeksit të këtij viti, indikatorët që lidhen me lehtësinë e tregtisë ndërkombëtare janë vlerësuar më së larti me një mesatare prej 5.61 pikësh, derisa indikatorët që lidhen me sundimin e ligjit janë vlerësuar më së ulëti me mesatare prej 4.19 pikësh.

Arian Zeka, drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane tha se nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik pa fuqizim të sektorit të prodhimit, duke theksuar se kjo ka qenë edhe në thelb të përpjekjeve institucionale të viteve të fundit, përfshirë edhe Qeverinë e re të Kosovës.

Duke elaboruar të gjeturat e hulumtimit, Zeka tha se reformat duhen fokusuar në përmirësimin e indikatorëve specifikë që këtë vit janë ranguar më ulët siç janë ata që lidhen me sundimin e ligjit, qasjen në financa, tregtinë e brendshme, ngritjen e infrastrukturës së cilësisë, por edhe të mjedisit fiskal, fuqisë punëtore dhe infrastrukturës fizike.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari tha se Qeveria planifikon përkrahjen e industrisë prodhuese, përmes avancimit të politikave që mundësojnë rritjen e konkurrueshmërisë dhe eksporteve.

Hajdari tha se në fokus të Ministrisë që ajo drejton do të jetë edhe përmirësimi i kornizës së infrastrukturës së cilësisë, e cila mes tjerash edhe do të garantonte mbrojtje më të madhe për konsumatorët vendorë.

Lexo po ashtu OEAK prezanton të gjeturat për 'Indeksin e Konkurrueshmërisë së Prodhimit'

Ministrja foli edhe për mbështetjen për bizneset me potencial për eksport dhe krijim të vendeve të reja të punës, përmes krijimit të politikave të veçanta për industri, eksport dhe tregti, të cilave do t’u paraprijnë analizat për sektorë industrialë.

Duke folur për indikatorë të caktuar të përfshirë në Indeks, prezantoi synimet e Qeverisë për krijimin e Gjykatës Komerciale, ndërlidhjen më të mirë të institucioneve arsimore me kërkesat e tregut të punës, si dhe fuqizimin e diplomacisë ekonomike.

Në anën tjetër, Skënder Rama, udhëheqës i Programit USAID Compete foli për komponentët e projektit që ai drejton dhe sektorët prioritarë industrial të cilët do të mbështeten nga ky program i cili do të luajë funksion fasilitimi, siç janë sektorët e përpunimit të ushqimit, sektori i përpunimit të drurit dhe sektori i teknologjisë së informacionit.

Rama thkesoi se mes tjerash Programi që ai drejton përfshin edhe bashkëpunimin me institucionet e arsimit dhe sektorin privat në aspektin e punëtorëve të kualifikuar, por edhe përmirësimin e qasjes në financa përmes prezantimit të produkteve të reja financiare, siç është financimi i eksporteve, me të cilën projekti USAID Compete bashkëpunon edhe me Odën Ekonomike Amerikane.

Teuta Kurshumlija nga Stone Castle foli shqetësimet e sektorit privat, duke theksuar kështu mungesën e fuqisë punëtore.

Ajo përmendi aspektin e vonesave në pagesa si indikator negativ në zhvillimin e biznesve të sektorit privat dhe kërkoi intensifikimin e fushatave vetëdijësuese për konsumin e produkteve vendore.

Indeksi i Konkurrueshmërisë së Prodhimit për vitin 2021 është hulumtimi i dytë vjetor i Odës Ekonomike Amerikane pas atij të publikuar në vitin 2019, ndërsa mat perceptimin e ndërmarrjeve prodhuese në të gjitha rajonet kryesore të Kosovës, në indikatorë të ndryshëm të operimit të biznesit.

Bazuar në të gjeturat e Indeksit të vitit 2021, theksohet nevoja e përpjekjeve të shtuara për përmirësim të indikatorëve që lidhen me fuqinë punëtore siç janë aftësia për të gjetur fuqi punëtore të shkathët, kualifikuar dhe produktive, si dhe ndërlidhja e arsimit me tregun e punës, por edhe indikatorët që lidhen me qasjen në financa, sundimin e ligjit dhe infrastrukturën e cilësisë. /Telegrafi/

Exit mobile version