Site icon Telegrafi

Indeksi i Dhomës Amerikane të Tregtisë, gjetja e fuqisë punëtore, shqetësimi kryesor i bizneseve shqiptare

Mungesa e fuqisë së kualifikuar punëtore është kthyer në shqetësimin kryesor i Dhomës Amerikane të Tregtisë, për të dytin vit me radhë. Ky tregues mori vlerësimin më të ulët në Indeksin e Besimit të Bizneseve, vetëm 23.06 pikë, nga 100 të mundshme. 

“Anëtarët e Dhomës amerikane vlerësojnë se gjetja e stafit të kualifikuar lokal kryeson në listën e çështjeve të perceptuara si problem. Në raport me një vit më parë, treguesi ka rënë me 1.4 pikë përqindje dhe për fatin e keq tregon se ky është një nga problemet kryesore,” shprehet Neritan Mullaj, drejtor Ekzekutiv i AMCHAM.

Dhoma Amerikan e Tregtisë shprehet gjithashtu e shqetësuar edhe në drejtim të konkurrencës së pandershme dhe monopoleve, informalitetit dhe ecurisë ekonomike apo burokracive qeveritare.

Garancinë për rritje të besimit të këtyre treguesve, e dha drejtuesja e politikave antikorrupsion në Ministrinë e Drejtësisë, Rovena Pregja.

Kjo me anë të strategjisë anti-korrupsion 2024-2030.

“Strategjia e re Ndërsektoriale kundër Korrupsionit do të sjellë më shumë bashkërendim, duke luftuar veçanërisht korrupsionin në administratën publike,” thotë Rovena Pregja, drejtoreshë e politikave antikorrupsion në Ministrinë e Drejtësisë.

Pavarësisht hapave të hedhur para e pas në disa drejtime, perceptimi i përgjithshëm i besimit të bizneseve anëtarë të Dhomës Amerikane të Tregtisë u përmirësua me gati 2 pikë përqindje në raport me vitin 2021. Treguesi përllogaritet në 43.42 pikë, duke mbetur gjithsesi poshtë nivelit mesatar.

“Duke parë ecurinë e cila ulet e ngrihet herë pas here, nuk na tregon shumë. në përgjithësi mund ta përmbledhim si një kënaqësi kokëfortë përballë mediokritetit. Ne qëndrojmë 40 për qind deri në 50 për qind të indeksit. Këtë nuk e përmend në një kontekst tërësisht negativ,” shpjegon Grant Van Cleve, president i AMCHAM.

Në Indeksin e perceptimit të klimës së Biznesit, vlerësime pozitive, madje mbi mesatare morën marrëdhëniet me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Doganat, besimi në përgjithësi në institucione dhe pronësia intelektuale. /A2 CNN

Exit mobile version