Poezi nga: Amiri Baraka
Përktheu: Fadil Bajraj
Ai u kthye dhe qëlloi. E qëlloi atë. Kur u
kthye, e qëlloi e ai ra, duke u mëkëmbur, pranë
hijes së drurit, poshtë, i qëlluar, jepte shpirt, i vdekur, ndaloi.
Në fund kullonte gjak, i qëlluar për vdekje. Pastaj vdiq, aty
pas rënies, plumbi i rrëmbyeshëm ia prishi fytyrën
e gjaku e stërpiku për bukuri vrasësin dhe dritën e blertë.
Pamjet e njeriut të vdekur janë kudo. E, shpirti i tij
e thith dritën. Ama, ai vdiq në terrin më të errët se
shpirti i tij dhe çdo gjë u shemb qorraz me të teksa
jepte shpirt poshtë shkallëve.
Nuk kemi asnjë fjalë
për vrasësin, përpos që u pati kthyer nga diku
të bëj atë që bëri dhe e qëlloi sall një herë viktimën
e përhumbur dhe e braktisi shpejt sapo rrodhi gjaku. E dimë
se vrasësi ishte i shkathtë, i shpejtë dhe i heshtur dhe se viktima
mbase e pati njohur. Përndryshe, përveç pamjes së ngurtë të
çehrengrysurit të vdekur dhe befasisë së qetë në pjesët
e duarve dhe gishtave, ne s’dimë gjë.