Telegrafi

Incidenti me zjarr, rikthehen 57 të moshuarit në Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë

Shtëpia e të Moshuarve në Prishtinë para disa ditësh u përfshi nga zjarri, e për shkak të kësaj të moshuarit u detyruan të largohen dhe të vendosen në një hotel.

Por, pas sanimit të dëmeve dhe pastrimit të shtëpisë, tashmë të moshuarit janë kthyer në Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë.

Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, Adelinë Sahiti – drejtoreshë për Mirëqenie Sociale në Komunën e Prishtinës.

“Për shkak të një zjarri të shkaktuar nga një banor i shtëpisë jemi detyruar për shkaqe të sigurisë së tyre t’i largojmë nga aty. Për fat të mirë asnjë nga banorët, nga 57 personat nuk kanë pësuar ndonjë lëndim. Pas dy ditësh, pas pastrimit gjeneral dhe sanimit të dëmeve nga NPB, banorët janë rikthyer sërish në Shtëpinë e të Moshuarve. Gjendja e tyre është e mirë dhe tashmë po vazhdon rutina që i ka përcjell çdo ditë tjetër”, u shpreh ajo.

Lexo po ashtu Zjarri në Shtëpinë e të Moshuarve dyshohet se u shkaktua nga një cigare – banorët janë dërguar në një hotel

Ndryshe, policia kishte konfirmuar incidentin me zjarr, duke njoftuar se në vendngjarje kishin dalë zjarrfikësit.

“… Kemi pranuar informatën për një incident zjarri në rrugën ‘Afrim Loxha’ në Prishtinë, saktësisht në shtëpinë e pleqve. Në vendngjarje kanë dalë zjarrfikësit dhe policia të cilët po merren me rastin. Zjarri është lokalizuar dhe bazuar në informatat e deritanishme, raportohet për persona që kanë kërkuar ndihmë për shkak të vështirësisë së frymëmarrjes nga tymi”, kishte deklaruar zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti.

Lexo po ashtu Një ditë pas rastit në Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë, Beka: Dyshohet se zjarri erdhi si pasojë e cigares nga një banor

Në vendin e ngjarjes kishte dalë edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

Ai kishte thënë se dyshohet se nga ndezja e një cigare nga një i moshuar është djegur një batanije ku më pas zjarri është përhapur. /Telegrafi/