Site icon Telegrafi

Incidenti i Ramës me gazetaren, reagon Unioni i Gazetarve: Prekja fizike është cënim i Kodit të Etikës

Unioni i Gazetarëve Shqiptare ka reaguar sot pas incidentit të raportuar në media midis kryeministrit Edi Rama dhe gazetares së Syri TV.

Sipas raportimeve në media, Rama përdori kontakt fizik ndaj gazetares, e cila po bënte një pyetje lidhur me financimin e portit të ri të Durrësit.

Në një reagim në mediat sociale, Unioni i Gazetarëve e dënon aktin e kryeministrit.

“Prekja fizike e gazetares është cënim i Kodit të Etikës dhe i integritetit fizik, zoti Kryeministër,” thuhet në hapje të deklaratës.

Lexo po ashtu Refuzon të përgjigjet, Rama shtyn gazetaren

“Unioni i Gazetarëve Shqiptarë reagon ndaj replikave të Kryeministrit Edi Rama me gazetaren Ambrozia Meta, e cila në të drejtën e vet profesionale këmbëngulte për një përgjigje konkrete prej kryeministrit, në konferencën për shtyp me gazetarët në datën 19 Mars 2024. Kryeministri jo vetëm që nuk jepte një përgjigje konkrete për pyetjen specifike, por me një gjuhë replikuese dhe nga pozita e edukuesit moral shmangej nga detyrimi për të dhënë një shifër konkrete për përfitimet e mundshme publike prej njerit nga projektet më të mëdha në fushën e turizmit shqiptar”, thuhet në deklaratë.

“Refuzimi dhe shmangia e Kryeministrit për përgjigje konkrete u bashkëshoqërua me një gjuhë intimiduese dhe me cënim të etikës, deri në cënim të integritetit fizik të gazetares. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë reagon ndaj këtij momenti dhe shpreh solidaritetin me kolegen Meta, e cila spikat si reportere kurajoze në kërkim të fakteve dhe të dhënave që synojnë transparencë publike dhe llogaridhënie prej qeverisësve”, shton Unioni. /Telegrafi/

Exit mobile version