Telegrafi

Incidenti mes qytetares e policisë te rruga “B” – avokati Arianit Koci publikon pamjet dhe fton Inspektoratin ta hetojë rastin

Foto: Arkiv/Ilustrim

Një incident i cili ka ndodhur sot në rrugën “B” në Prishtinë, mes një qytetareje dhe një patrulle të policisë ka nxitur reagime nëpër rrjete sociale.

Fillimisht u publikua një video ku një qytetare shihej duke diskutuar ashpër me disa pjesëtarë të policisë, ndërsa ankohej se ata kishin përdorur sprej kundër saj.

Telegrafi ka tentuar të marr një deklaratë zyrtare nga Policia e Kosovës, por ata nuk kanë kthyer ende ndonjë përgjigje për këtë rast.

Megjithatë, mediet po raportojnë se nga policia u kanë thënë se në vetëmbrojtje kishin përdorur sprej lotsjellës.

Në ndërkohë, në rrjetin social Facebook ka reaguar avokati, Arianit Koci i cili ka dhënë detaje në lidhje me incidentin në fjalë, ku qytetarja akuzonte policinë që kanë përdorur sprej.

Ai ka thënë se qytetarja në fjalë, nuk është në gjendje të mirë shëndetësore, ndërkaq sipas tij policia asaj i është afruar në mënyrë agresive.

“Me çfarë lehtësie e përdorë një polic sprejin ndaj një vajze të re – është pabesueshme. Emina Haxhiu ka qenë sot duke e shëtitur qenin e vet 8 muajsh – qen i butë i cili ende nuk din me lehë. Polici i është afruar Emines në mënyrë agresive, dhe ka kërkuar që qenit t’i vendoset maska. Znj.Haxhiu ka tentuar t’ia shpjegojë policit që qeni është ende këlysh – është i lidhur dhe se ende nuk din as me lehë. Debati ka vazhduar.  Papritmas, sipas Emines, edhe pse kanë qenë fillimisht 4 polic, njëri e nxjerrë sprejin dhe e spërkatë në sy. Eminës i paraqitet astma akute. Ende ka problem me frymëmarrje. Në ndërkohë, vijnë edhe dy polic të tjerë”, shkruan Koci.

Ai vazhdon tutje, duke thënë se “duhet theksuar që polici me sprej dhe një police e kanë pasur sjelljen jashtëzakonisht të keqe – sipas të dëmtuarës. Ftoj Inspektoratin Policor që menjëherë t’i merr xhirimet e kamerave të lokaleve përreth, dhe të veproj sipas dispozitave ligjore. Emina sonte është në gjendje jo të mirë shëndetësore”, shkruan ai duke publikuar edhe disa fotografi të personit në fjalë. /Telegrafi/