Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier ka reaguar pas incidenteve me granata dore që ndodhën të martën në veri të Mitrovicës, ku persona të maskuar dëmtuan zyret e komisioneve komunale zgjedhore në këtë pjesë.
Hovenier përmes një reagimi në Twitter ka shkruar se përdorimi i dhunës dhe i frikësimit, nuk është metodë e përshtatshme proteste në asnjë rrethanë.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dënojnë ata që ushtruan dhunë gjatë incidenteve të djeshme në veri të Kosovës. Përdorimi i dhunës dhe i frikësimit, duke përfshirë përdorimin e një mjeti shpërthyes, dhe rrezikimin e jetëve nuk është kurrë një metodë e përshtatshme proteste, në asnjë rrethanë”, ka shkruar Hovenier.
Ambasadori amerikan ka shtuar se SHBA-të janë të shqetësuara që nuk janë krijuar kushtet për momentin që zgjedhjet në veri të mbahen në fund të këtij muaji.
“Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara se nuk janë krijuar kushtet për momentin që zgjedhjet të mbahen në fund të këtij muaji në veri të Kosovës. Siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës duhet të jetë prioriteti më i lartë. Ne kërkojmë që të gjithë të përfshirët të jenë të përmbajtur”, shkroi Hovenier. /Telegrafi/
The United States condemns those who employed violence during yesterday’s incidents in northern Kosovo. Resorting to violence and intimidation, including use of an explosive device, and endangering lives is never an appropriate method of protest, under any circumstances. 1/2
— Ambassador Jeff Hovenier (@USAmbKosovo) December 7, 2022