E plotësuar: Një përplasje verbale dhe ekspozim të armëve raportohet se ka ndodhur sonte në Prishtinë.
Sipas një njoftimi nga faqja “Vrojtuesit e lagjes – Prishtinë”, ngjarja fare lehtë ka mundur të eskalojë dhe të shndërrohet në një tragjedi.
”Para pak çastesh, në linjën e Trafiku Urban Prishtinë nr.4 ka ndodhur një zënkë midis një shoferi të një veture dhe punonjësve të autobusit. E gjitha ndodhi pas një keqkuptimi në komunikacion, ku provokimi erdhi nga shoferi i autobusit duke bërë që shoferi i veturës ta ndal mjetin në rrugë dhe del nga vetura që të konfrontohet me ta”, thuhet në raportim.
“Në fjalosje e sipër, një nga personat në autobus i cili ishte punonjës i trafikut urban ka nxjerrë armën të cilën e kishte mbushur me plumba”.
“Për fat të mirë ai nuk e shkrepi, por në sy të gjithë udhëtarëve nxori plumbat nga revolja duke ja dhënë kondukterit për t’i gjuajtur në bërllok pasi që shoferi i mjetit që ishte ndalur para, kishe thirrur policinë”.
Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës Flora Ahmeti, ka thënë për Telegrafin se në lidhje me këtë incident është sekuestruar një armë zjarri dhe palët e përfshira janë shoqëruar në polici.
“Sot rreth 17:30, kemi pranuar informatën për një rast kanosje, që ka ndodhë në rrugën “Rrahim Beqiri” në Prishtinë. Bazuar në të dhënat fillestare, dyshohet se pas një mosmarrëveshje në trafik, ngasësi i një autobusi, me armë zjarri ka kanosur palën tjetër (ngasësin e një veture)”, ka thënë Ahmeti.
Lidhur me këtë rast, është sekuestruar një armë zjarri dhe në stacion policor janë shoqëruar palët e përfshira.
“Aktualisht janë duke u ndërmarrë verimet e nevojshme policore për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë karakterizuar rastin”, ka deklaruar Ahmeti./Telegrafi/