Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe menaxheri zyrës së Bankës Botërore për Kosovë, Massimiliano Paolucci, kanë inauguruar Rrjetin për Hulumtim dhe Edukim të Kosovës (KREN).
Në ceremoninë e inaugurimit të mbajtur në Parkun për Inovacion dhe Trajnime në Prizren, Kryeministri Albin Kurti tha se sot po kurorëzojmë suksesin e radhës, krijimin e rrjetit kombëtar për hulumtim dhe edukim, me të cilin rrjet Kosova është kyçur në rrjetin akademik panevropian, i cili do të luajë një rol të rëndësishëm për hulumtime shkencore.
Duke folur për sukseset e Kosovës në shtrirjen e rrjetit të internetit, Kryeministri Kurti tha se Kosova është kampione në Ballkan dhe e krahasueshme me shtete evropiane për shtrirjen e rrjetit dhe së shpejti do të festojmë edhe lidhjen e fundit të fshatrave në rrjet.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli theksoi se dedikimi dhe puna jonë fokusohet në zhvillim të shtrirjes e përmirësimit të infrastrukturës digjitale, për të shtyrë para transformimin digjital të vendit e për të mundësuar realizimin e plotë të potencialit të rinisë sonë të talentuar.
Ministrja Rizvanolli tha se me KREN-in, studentët e hulumtuesit do të kenë qasje në laboratorë virtuale, software, trajnime të avancuara, e projekte të përbashkëta kërkimore me kolegët në gjithë Evropën.
Po ashtu, Ministrja Rizvanolli njoftoi se me KREN-in do të lidhen edhe të gjitha shkollat fillore dhe të mesme të Kosovës, ndërsa deri më tani janë nënshkruar memorandume bashkëpunimi me 16 universitete dhe kolegje në Kosovë duke u dakorduar për zotimet dhe angazhimet e të dy palëve.
Ndërsa, Ministrja Arbërie Nagavci theksoi se në Strategjinë e Arsimit 2022-2026 që është hartuar, digjitalizimi është ndër elementet thelbësore të kësaj strategjie dhe është shtylla e pestë e Strategjisë.
Për të rritur cilësinë e mësim, ajo tha se është e rëndësishme që institucionet tona arsimore të digjitalizohen dhe në 5 vitet në vijim synohet të arrihet kjo, duke i digjitalizuar të gjitha institucionet shkollore.
Projekti KREN është realizuar nga Ministria e Ekonomisë dhe është mbështetur nga Banka Botërore. Në sistemin KREN do të jenë të lidhura të gjitha universitetet e Kosovës, së shpejti do të lidhen të gjitha institucionet shkollore dhe do të shfrytëzohet nga Ministria e Arsimit për shpërndarjen e Kurikulës Digjitale. Po ashtu, me KREN-in studentët dhe hulumtuesit do të kenë qasje në laboratorë virtuale, trajnime softwerike të avancuara, dhe projekte të përbashkëta kërkimore me kolegët nga e gjithë Evropa dhe do të ofrohen shumë shërbime të tjera./Telegrafi/