Suksesi i Shqipërisë në Euro 2016, si duket i ka djegur shumë shtetit malazez, pasi policia e tyre ka dënuar tifozë shqiptarë, të cilët ishin duke u kthyer nga Franca me flamuj në vetura.
Mbështetja dhe rrugëtimi për të ndjekur kombëtaren shqiptare gjatë kampionatit evropian në Francë, iu ka kushtuar më shtrenjtë se parashihet disa tifozëve shqiptarë.
Kjo pasi, teksa ktheheshin për në Shqipëri, ata janë ndaluar në qytetin e Budvas në Mal të Zi dhe kanë paguar gjobë prej 230 euro.
Arsyeja e këtij dënimi ishte krejt banale, pasi kishte të bënte me flamujt e Shqipërisë që kishin vendosur në makinën e tyre.
Është e përditshmja malazeze ‘Vijesti’, e cila raporton se pas sinjalizimit nga disa persona, policia e Budvas ka ndaluar veturën me të cilin udhëtonin tifozët shqiptarë, ku më pas janë ndëshkuar me gjobë dhe vetëm pasi kanë hequr flamujt nga makina janë lejuar të kthehen në Shqipëri. /Telegrafi/