Telegrafi

Importi i produkteve ushqimore margjinalizon ato vendore

Kosova mbetet një nga vendet që importon deri në 90 për qind të produkteve ushqimore nga jashtë. Ky fakt është tregues se prodhimet vendore gjenden më rrallë dhe konsumohen më pak nga qytetarët e Kosovës.

Por, njëkohësisht, kjo nënkupton që produktet e importuara duhet t’i nënshtrohen edhe një kontrolli të rregullt, për plotësimin e standardeve të nevojshme për konsumim nga qytetarët.

Nga produktet e importuara, përfaqësuesit e bizneseve tërheqin vërejtjen në veçanti për ato që importohen nga vendet fqinje, për të cilat ngrihen dyshime rreth cilësisë së tyre.

Ky fakt besohet se do të duhej të ndikonte te qytetarët e Kosovës, që të konsumojnë produkte vendore, të paktën ato që tashmë janë në treg.

Selatin Kaçaniku, kryetar i Organizatës për Mbrojtjen e Konsumatorit, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se siguria e konsumatorit të qytetarit në Kosovë është e dyshimtë, duke përmendur edhe mos zbatueshmërinë e ligjeve, aq sa duhet.

“Nëse Republika e Kosovës nuk e ka ende një kontratë bilaterale të tregtisë as me fqinjët , atëherë edhe kjo vë shumëçka në dyshim, bile edhe marrëveshjen e CEFTA-s, si dhe pretendimet tona për anëtarësim në Organizatën Botërore të Shëndetësisë”.

“Nëse kemi parasysh se korporatat multinacionale dhe ato afër tyre prodhojnë aq cilësi dhe siguri, aq sa shteti destinues ka mundësi t’i detektojë ato, atëherë edhe ky parametër na shërben mjafueshëm”’, ka thënë Kaçaniku.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë, Lamir Thaçi ka bërë të ditur se procedurat e kontrollit të ushqimit janë të harmonizuara me të gjitha vendet e zhvilluara në rajon dhe Bashkim Evropian.

“Ne jemi duke ushtruar kontrollin në bazë të ligjeve dhe rregulloreve në fuqi, për kontrollë të produkteve në import, dhe varësisht nga lloji i produkteve, ne ushtrojmë kontrollë me inspektorët kompetent.”

“Procedurat tona të kontrollit janë të harmonizuara me të gjitha vendet e zhvilluara në rajon dhe BE. Po ashtu, nga shtatori kemi hequr lejet e importit për produkte të Bashkimit Evropian, pasi procedurat e zhdoganimit apo të kontrollimit nga ana e inspektorëve tonë janë të njëjta me ato të Bashkimit Evropian”, ka thënë Thaçi.

Për cilësinë e ushqimit flasin edhe vetë qytetarët. Nazmie Krasniqi, pensioniste jep mendimin e saj.

“Në përgjithësi çmimet janë të shtrenjta, dhe produktet ushqimore nuk i kemi kualitative. Mendoj se tek ne hyn gjithfarë malli, pa kontrollë. Nuk e di a u bëhen kontrollat adekuat artikujve ushqimorë që importohen, por unë dyshoj. Unë mendoj se tepër jemi të shëndetshëm, krahasuar me atë se çfarë konsumojmë”, ka thënë Krasniqi.

Edhe Kaçaniku shton se importi i artikujve ushqimorë nga biznese të caktuara është i jetësuar edhe me zyrtarë në institucione, andaj siç thotë ai, shumë pak mund të flitet për cilësi dhe siguri.

“Natyrisht se janë një shans i mirë këto zgjidhje për institucionet e Kosovës; asociacionit dhe mekanizmave për mbikëqyrjen e inspektimit të tregut dhe mbrojtjes së konsumatorit, që tash në muajin mars, pra, në muajin botëror të të drejtave të konsumatorit, dhe me 15 mars, Ditën Botërore të të drejtave të Konsumatorit, të reflektojnë dhe të nisin aktivitete serioze për mbrojtjen e qytetarit konsumator, e që njëherit është edhe taksapagues dhe gjenerues kryesor i buxhetit, dhe prej nga edhe ata financohen. Bizneset janë bukur mirë të jetësuara me zyrtarët në politikë dhe gjendja është kështu si është”, ka thënë Kaçaniku.

Angazhimi maksimal i autoriteteve përgjegjëse për mbrojtjen e konsumatorit theksohet të jetë një nga prioritetet kryesore në këtë fushë. Megjithatë, në raporte të ndryshme theksohet nevoja për angazhim më të fuqishëm institucional në këtë drejtim. /Rel/Telegrafi/