Ish-kandidati për president të Maqedonisë, Imer Selmani, në një emision në TV24 ka thënë se OBRM-PDUKM-ja nuk ka mundur të bëjë zgjedhje më të keqe me kandidaturën e profesoreshës Gordana Siljanovska.
Ai për kandidaten e partisë opozitare maqedonase për zgjedhjet presidenciale, thotë se është nacionaliste dhe vazhdimësi e politikave të presidentit të deritanishëm Gjorge Ivanov, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Ai tha se deputeti aktual i OBRM-PDUKM-së Vllatko Gjorçev, i cili po ashtu garoi për kandidat për president nga radhët e kësaj partie, do të ishte kandidat shumë më i mirë se Siljanovska.
Ndryshe, partia opozitare maqedonase në zgjedhjet presidenciale do të garojë me Gordana Siljanovskan, ndërsa partitë tjera akoma nuk kanë bërë të ditur kandidatët e tyre.
Sot kryetari i BDI-së Ali Ahmeti realizoi takim me kryeministrin Zoran Zaev, me të cilin diskutuan për zgjedhjet presidenciale. Pas takimit ata thanë se ekziston mundësia që të dalin me kandidat të përbashkët./Telegrafi/