Imazhi jo i mirë ekonomik i Republikës së Kosovës, ka bërë që shumë investitorë ndërkombëtarë të hezitojnë që kapitalin e tyre të shtrijnë në Kosovë, thonë ekspertë për çështje ekonomike. Sipas tyre, autoritetet kompetente në Prishtinë nuk kanë arritur të krijojnë një imazh karshi investitorëve të huaj, ngjashëm si shtetet fqinje.
Drejtori Ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropianë, Shpend Balija, thotë se imazhi i Kosovës nuk është konkurrent me vendet e rajonit.
Ai thotë se institucionet e Kosovës duhet të krijojnë kushte për investitorët potencial, por edhe për kompanitë e huaja që veprojnë në Kosovë, pasi siç thotë ai, këto kompani janë ambasadorët më të mirë për të përmirësuar imazhin e Kosovës në aspektin ekonomik.
Këshilli i Investitorëve Evropianë që është themeluar vitin e kaluar synon të kontribuojë në përmirësimin e gjendjes së të bërit biznes për investitorët evropianë dhe ndërkombëtarë. “Nuk është ndër më të mirët imazhi i Kosovës, nëse e marrin në aspektin rajonal. nuk është i konkurrueshëm me shtetet fqinje, nuk është konkurrent më Maqedoninë, për shembull. Shpesh herë investitorët janë skeptik, por edhe shpesh herë më të drejtë. Kjo për arsye të një brishtësie të kornizës dhe sistemeve të së drejtës kontraktuese dhe komerciale”, ka thënë Balija.
Niveli i korrupsionit, burokracia dhe politikat jo të favorshme, për investitorët potencial kanë ndikuar në zbehjen e imazhit ekonomik të Kosovës, thotë edhe Mustafë Hasani, ish-udhëheqës në Agjencinë për Promovimin e Investimeve në kuadër të Ministrisë se Tregtisë dhe Industrisë.
Megjithatë, ai thekson se projektet konkrete dhe kriteret transparente janë mundësitë për rikthimin e investitorëve të huaj për sektorët potencial në Kosovë. “Korrupsioni ndikon në imazh, jostabiliteti politik, elementet tjetra ekstremiste, të gjitha ndikojnë në imazhin e Kosovës. Por, të gjitha këto mund të eliminohen gradualisht, përmes promovimit, përmes rregullimit të këtyre problemeve aktuale, zvogëlimit të korrupsionit, mundësive për luftim sa më të madh që është e mundshme, funksionimin e gjykatave e të gjitha këto janë të lidhura njëra më tjetrën. Por, mundësitë janë para nesh prapë”, thekson Hasani
Ndryshe, sipas statistikave zyrtare, Shpend Balija thotë se nga viti 2007 deri në vitin 2013 investimet e huaja kanë rënë për 50 për qind në vlerën absolute. Ky trend i rënies se investimeve, thotë ai dëmton rëndë imazhin ekonomik të Kosovës. “Shpesh herë qeveria në mungesë të praktikave reale ka nevojë të dëgjojë zërin e investitorëve aktual shumë qartë dhe me shumë vëmendje, sepse këto biznese nëse nuk janë në gjendje të funksionojnë me një fitim, pas një periudhe ato do të shuhen dhe do të largohen nga Kosova. Kështu ka ndodhur edhe nga viti 2007 deri në vitin 2013”, ka thënë Balija.
Ekspertë për çështje ekonomike, thonë se edhe mungesa e zbatimit të ligjeve dhe reformat e shpeshta ligjore dëmtojnë qëndrueshmërinë e kompanive investuese në Kosovë.
Sidoqoftë, investimet e huaja direkte në Kosovë, sipas të dhënave të Bankës Qendrore, kanë shënuar rënie të mëdha. Derisa në vitin 2007 vlera e investimeve të huaja ishte rreth 450 milionë euro, në vitin 2014 kjo shifër është jo më shumë se rreth 150 milionë euro. /Rel/Telegrafi/