Imane Khelif ishte tema kryesore e Lojërave Olimpike të vitit të kaluar në Paris. Përfaqësuesja e Algjerisë fitoi medaljen e artë në kategorinë e boksit 66 kilogramë, pasi mposhti me vendim unanim në finale kinezen Liu Yang, por ajo tërhoqi vëmendjen e publikut pasi u akuzua se ishte mashkull.
Kujtojmë se Komiteti Olimpik e lejoi Khelif të garonte në turneun e femrave edhe pse ajo u ndalua të merrte pjesë në Kampionatin Botëror të vitit 2023 nga Shoqata Ndërkombëtare e Boksit (IBA), së bashku me Lin Yu-Ting nga Tajvani, fituesja e medaljes së artë olimpike në kategorinë e peshave të lehta.
Kjo u bë me shpjegimin se testet e ADN-së vërtetuan se ata kishin kromozome XY dhe testosterone të tepërt. Për shkak të kësaj, shumë e akuzojnë atë se është në të vërtetë një mashkull.
Por meqenëse IBA nuk drejtoi garën olimpike të boksit në Paris, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ishte i kënaqur që të dy luftëtarët mund të konkurronin sipas rregullave më pak strikte të përshtatshmërisë gjinore, të cilat ishin në fuqi për Lojërat e Tokios 2021.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump javën e kaluar nënshkroi një urdhër ekzekutiv që ndalon gratë transgjinore të marrin pjesë në sportet e femrave në SHBA, dhe në një fjalim pas nënshkrimit të urdhrit, ai e quajti Khelif një boksier mashkull. Khelif i tha ITV News këtë javë se ajo nuk ishte e frikësuar nga politika e tij.
“Presidenti i Shteteve të Bashkuara mori një vendim në lidhje me politikën transgjinore në vendin e tij. Unë nuk jam transgjinor. Kjo nuk më shqetëson dhe nuk më frikëson”, deklaroi Khelif, duke shtuar: “Sapo fillova të arrij sukses, filluan fushatat kundër meje”.
Khelif nuk ishte në gjendje të konkurronte në Kampionatin Botëror, i cili mbahet sipas rregullave të IBA, sepse asaj iu ndalua pjesëmarrja pasi dështoi në testet e pranimit gjinor.
“Kam lindur vajzë, jam rritur vajzë dhe kam jetuar si një e tillë gjithë jetën. Kam marrë pjesë në turne të shumta, duke përfshirë Olimpiadën dhe garat e tjera të rëndësishme”, përfundoi Khelif. /Telegrafi/