Telegrafi

Imami Maliqi për raportin e DASH-it: Ministria e Arsimit në Kosovë po iu bën padrejtësi komunitetit mysliman

Foto: Arkiv

Imami Labinot Maliqi ka publikuar një pjesë të raportit të Departamentit amerikan të Shtetit për Liritë Fetare, ku thotë se Ministria e Arsimit në Kosovë po vazhdon të bëj padrejtësi ndaj komunitetit mysliman.

Maliqi në Facebook shkruan se, në raport thuhet se është e kundërligjshme që të ndalohet bartja e shamive në ambientet shkollore.

“Në pjesën për Kosovën, raporti e përmend përsëri padrejtësinë e madhe që vazhdon t’i bëhet komunitetit mysliman në Kosovë më shumë se një dekadë nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, nëpërmjet një qarkoreje administrative e cila në mënyrë të kundërligjshme e ndalon bartjen e shamisë në ambientet shkollore. Kjo ndalesë bije ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut”, thotë Maliqi, përcjell Telegrafi.

Ligji për Lirinë Fetare në Kosovë duhet ndryshuar dhe mungesa e statusit ligjor për bashkësitë fetare është një hendek i madh në mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut në Kosovë.

Kështu thuhet në Raportin Ndërkombëtar për Liritë Fetare për vitin 2020 i cili e dokumenton gjendjen e lirive fetare në afro 200 shtete dhe territore.

Lexo po ashtu Kosovës i rekomandohet ta ndryshojë Ligjin për Lirinë Fetare

Ky raport informon për vendimet kritike të politikës së jashtme të SHBA-së dhe shërben si burim i besueshëm për qeveritë dhe ligjvënësit e huaj, mbrojtësit e të drejtave të njeriut, bashkësitë fetare, hulumtuesit akademikë, anëtarët e Kongresit dhe amerikanët e rëndomtë për informata të besueshme mbi zhvillimet e lirive fetare anembanë botës.