Telegrafi

“I’m Good (Blue)” nga Bebe Rexha dhe David Guetta arrin një miliard dëgjime në Spotify

Bebe Rexha dhe David Guetta (Foto: Jerritt Clark/Getty Images for Bebe Rexha)

David Guetta dhe Bebe Rexha kanë dëshmuar gjithmonë se bashkëpunimet e tyre janë shumë të suksesshme.

Që nga hera e parë kur dyshja bashkëpunuan në këngën “Hey Mama”, ata kanë pasur sukses dhe më pas e vazhduan bashkëpunimin edhe në tri këngë të tjera.

E fundit u publikua vitin e kaluar, kënga “I’m Good (Blue)”, e cila erdhi si një ripërpunim modern i këngës legjendare “Blue” të Eiifel 65.

Kënga e cila u publikua në gusht dhe më pas edhe me klip në shtator të vitit të kaluar, është pritur tejet mirë nga fansat.

Kjo këngë tashmë ka arritur të shënojë mbi një miliard dëgjime vetëm në platformën më të madhe të shërbimit të muzikës në botë, Spotify.

Lexo po ashtu E nisi vitin e zhgënjyer, vazhdoi me suksese dhe përfundoi e nominuar në "Grammy Awards", rrugëtimi inspirues i Bebe Rexhës përgjatë 2022

Këtë gjë e kanë bërë të ditur vet artistja shqiptare dhe Guetta, përmes shpërndarjes së një statusi të Spotify-t në rrjetin social Twitter.

“I’m Good (Blue)”, ka qenë këtë vit e nominuar edhe në mbrëmjen më të madhe të ndarjes së çmimeve të muzikës, Grammy Awrds 2023, në kategorinë “Kënga më e mirë ritmike/elektronike”.

Të njëjtët u nominuan edhe në Brit Awards 2023 për “këngën më të mirë të vitit”, por në të dyja ceremonitë e çmimeve u mundën nga Beyonce me këngën “Break my soul”.

Bebe Rexha dhe David Guetta (Foto: Andreas Rentz/Getty Images for MTV)

Gjithsesi, ata fituan çmimin ‘Bashkëpunimi më i mirë’ në ceremoninë evropiane të çmimeve, MTV Europe Music Awards 2022. /Telegrafi/

Bebe Rexha dhe Davud Guetta me çmimin ‘Bashkëpunimi më i mirë’ në MTV EMA 2022 (Foto: John Phillips/Getty Images for MTV)