Deputetja e Aleancës për Shqiptarët, Ilire Dauti ka dhënë dorëheqje nga funksioni koordinatores së Grupit Parlamentar të Aleancës për Shqiptarët në Kuvendin e RMV-së.
Dauti thotë se dorëheqja e saj vjen si pasojë e rezultatit nga zgjedhjet lokale në Tetovë.
“Çdo rezultat në këtë drejtim është e tëra që ju duhet njerëzve të thjesht, krenar e me dinjitet cilësi të cilat vlerësohen reciprokisht mes njerëzish që besojnë në të njëjtat parime. Nisur nga këtu mbështetja e juaj në zgjedhjet e fundit parlamentare i dha kuptim e hije fjalës time në Kuvend e do jetë kuptimi i asaj fjale gjer në fund të mandatit si deputete e Aleancës për Shqiptarët në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut”.
“Por, rezultati në zgjedhjet e fundit lokale e edhe me shumë rezultati tejet i dobët për Këshillin e Tetovës më goditi edhe mua, e ndërgjegjja ime si deputete e zonës gjashtë nuk e tejkalon e s’mund të jem indiferente. Prandaj ju njoftoj që sapo u dorëhoqa nga Koordinatore e Grupit Parlamentar të Aleancës për Shqiptarët, të vetmin emërim që kam për momentin nga subjekti politik”, ka shkruar Dauti.