Site icon Telegrafi

Ilir Meta injoron seancën e Kuvendit të Shqipërisë për shkarkimin e tij

Në Kuvendin e Shqipërisë tashmë ka filluar seanca për shkarkimin e presidentit Ilir Meta.

Por, Meta po vazhdon agjendën e tij të planifikuar më parë.

Në një njoftim për medie, nga Presidenca e Shqipërisë kanë bërë të ditur se Meta sot do të pres në takim Ansamblin Folklorik të Dibrës “Hazis Ndreu”, ku pritet të zhvillohet një aktivitet kulturor.

“Gjatë këtij aktiviteti, Presidenti Meta do të nderojë me tituj edhe disa nga personalitetet e shquara të këtij Ansambli, si dhe do të mbajë një fjalë rasti”, thuhet tutje në njoftimin e presidencës.

Një Komision Hetimor ka konstatuar se Meta ka shkelur 16 nene të Kushtetutës përpara zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit dhe se ai duhet të shkarkohet një vit përpara se t’i përfundojë mandati.

Lexo po ashtu Fillon seanca për shkarkimin e presidentit Meta, akuzohet për 16 shkelje kushtetuese

Për shkarkimin e Metës duhen dy të tretat e votave dhe socialistët nuk i kanë numrat për ta arritur këtë prag. Mirëpo nëse ata arrijnë ta kalojnë propozimin e sotëm, atëherë miratimin përfundimtar duhet ta japë Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë brenda një periudhe kohore prej tre muajsh. /Telegrafi/

Exit mobile version