Telegrafi

IKSHPK thirrje qytetarëve: Respektoni masat, ka tendencë të rritjes së rasteve me coronavirus

Foto: Arkiv

Në 24-orët e fundit nga coronavirusi kanë humbur jetën nëntë persona, kurse janë konfirmuar 467 raste të reja.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë (IKSHPK) përmes një komunikate për media, ka kërkuar nga qytetarët që të respektojnë masat mbrojtëse antiCOVID, transmeton Telegrafi.

IKSHPK po ashtu thekson se ka numri i rasteve me coronavirus mund të rritet ditët në vazhdim.

“Duke pasur parasysh vlerësimin dinamik dhe në kohë reale të situatës epidemiologjike me COVID -19, sot janë raportuar 467 raste pozitive, që paraqet numrin më të madh të rasteve pozitive këtë vit me tendencë të rritjes ditëve në vijim. Shprehim ngushëllime familjarëve për 9 rastet e vdekjeve të raportuara gjatë 24 orëve të fundit”, thuhet në reagim.

Tutje, IKSHPK thotë se numri i rasteve pozitive dhe vdekjeve nga COVID-19 vazhdon të jetë i lartë dhe brengosës si pasojë e drejtpërdrejtë e neglizhimit të masave.

“Mjekët të stërngarkuar në spitale po luftojnë kundër këtij virusi tinëzar e shkatërrimtar me tërë fuqinë e tyre profesionale e njerëzore. IKSHPK përsërit thirrjen për zbatimin e të gjitha masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19”, vijon reagimi.

IKSHPK rekomandon edhe një herë:

1. Të qëndrohet në shtëpi, dhe dalja të jetë vetëm për nevoja të domosdoshme;

2. Ndalimi rigoroz i takimeve me njerëz me të cilët nuk jetoni në bashkësi, pos për qëllime specifike;

3. Ndalimi rigoroz i tubimeve;

4. Respektimi rigoroz i masave kufizuese në aktivitetet publike;

5. Kufizimi i punës për veprimtaritë jo-esenciale dhe vend-ngjarjet duke redukuar edhe kohën e punës gjatë ditës.

IKSHPK vlerëson se këto masa mund të ndërprejnë rritjen e numrit të rasteve, të parandalojnë mbingarkesën e hospitalizimeve dhe të parandalojnë rritjen e numrit të vdekjeve. /Telegrafi/